Gostivar, pas 30 ditësh krizë: Uji i pijshëm shpallet i sigurt, kontrolli kthehet te pushteti lokal

Gjendja 30-ditore e krizës në Komunën e Gostivarit ka përfunduar mbrëmë në mesnatë, ndërsa uji i pijshëm është i pastër dhe i sigurt për konsum, njoftoi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.

Me përfundimin e gjendjes së krizës, institucionet e pushtetit qendror dhe ndërmarrjet shtetërore, përfshirë NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” nga Shkupi, tërhiqen nga mbikëqyrja e drejtpërdrejtë e cilësisë së ujit. Sipas Angellovit, përgjegjësia tani i takon pushtetit lokal për të garantuar që qytetarët e Gostivarit të vazhdojnë të kenë ujë të sigurt për pije.

Qeveria e shpalli gjendjen e krizës më 20 korrik, pasi Komuna e Gostivarit nuk arriti të përballej vetë me ndotjen e ujit të pijshëm dhe epideminë që preku mijëra qytetarë.

Uji ishte ndaluar për pije që nga 17 korriku. Sipas institucioneve kompetente, ndotja u shkaktua nga pompat e vendosura në mënyrë të parregullt nga NP “Komunalec”-Gostivar, përmes të cilave në sistemin e furnizimit kishte hyrë ujë i ndotur.

Pas hiperklorimit dhe pastrimit të sistemit të furnizimit me ujë, ai fillimisht u lejua vetëm për përdorim teknik. Ndërkaq, që nga 14 gushti, pas rezultateve të kënaqshme laboratorike nga Instituti i Shëndetit Publik dhe NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”-Shkup, uji i ujësjellësit të qytetit u shpall i sigurt për pije.

Megjithatë, LSDM-ja ka kërkuar që Qeveria të publikojë të plotë raportet dhe analizat laboratorike, duke vlerësuar se qytetarëve nuk duhet t’u kërkohet të mbështeten vetëm në deklarata pas një rasti të tillë.

Në lidhje me ndotjen e ujit, LSDM-ja ka paraqitur edhe kallëzim penal kundër ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovskit, dhe drejtorëve të disa institucioneve shëndetësore, duke i akuzuar për lëshime dhe mosmarrje të masave në kohë.

Për rastin janë arrestuar drejtoresha e NP “Komunalec”-Gostivar dhe dy persona të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *