324 kilogramë marihuanë kapen në Selanik, në pranga shtetas të RMV-së dhe Kosovës
Një operacion i koordinuar ndërkombëtar kundër trafikimit të drogës ka çuar në arrestimin e dy personave në Selanik, një shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe një shtetas i Kosovës, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar 324 kilogramë marihuanë.
Sipas Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, droga është zbuluar gjatë kontrollit të një automjeti transportues. Marihuana ishte fshehur në tetë paleta me letër, të vendosura në rimorkion e automjetit.
Aksioni është rezultat i një hetimi disa mujor dhe është zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe Kosovës, me qëllim zbardhjen e një rrjeti të dyshuar për trafikim të paligjshëm të drogës.
Pas arrestimeve në Selanik, me urdhër të prokurorit janë kryer kontrolle edhe në disa lokacione në Maqedoninë e Veriut. Kontrollet kanë për qëllim identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në aktivitetin kriminal, si dhe sigurimin e provave shtesë.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme konfirmuan se hetimi është zhvilluar në koordinim me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe autoritetet kompetente të Kosovës dhe Greqisë.
Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi identitetin e të arrestuarve, ndërsa nuk është konfirmuar nëse gjatë kontrolleve në Maqedoninë e Veriut janë arrestuar persona të tjerë.

