AUV në alarm për linë te delet dhe dhitë: Kërkohen vaksina, paralajmërohen blegtorët

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) po monitoron nga afër situatën me përhapjen e lisë te delet dhe dhitë, ndërsa ekipet veterinare janë vazhdimisht në terren për të kontrolluar rastet e dyshuara dhe për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Sipas AUV-së, pas çdo informacioni për një rast të dyshimtë merren mostra gjaku dhe strisho, të cilat analizohen për të konfirmuar praninë e virusit.

Në rast se sëmundja konfirmohet, Agjencia zbaton masa të rrepta kontrolli, përfshirë eutanazinë dhe groposjen e kafshëve të prekura.

Ndërkohë, AUV ka kërkuar ndihmë për sigurimin e vaksinave nga Komisioni Evropian dhe Republika e Turqisë. Gjithashtu, është kërkuar sërish asistencë nga ekipi EUVET i Komisionit Evropian.

Vaksinimi do të nisë vetëm pasi të konfirmohet mundësia për sigurimin e vaksinave dhe të kryhen testimet për sigurinë dhe pastërtinë e tyre.

AUV ka paralajmëruar blegtorët që të mos vaksinojnë kafshët në mënyrë të pavarur. Vaksinimi pa miratim zyrtar do të sanksionohet, ndërsa kafshët e prekura ose të asgjësuara në këto raste nuk do të kompensohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *