Ethet e Nilit Perëndimor, tre viktima në Maqedoninë e Veriut

Një pacient i infektuar me ethet e Nilit Perëndimor ka ndërruar jetë gjatë fundjavës, duke e çuar në tre numrin e viktimave nga kjo sëmundje në vend. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deri tani janë konfirmuar 35 raste, ndërsa gjashtë pacientë janë në gjendje kritike dhe po trajtohen në kujdesin intensiv.

Nga rastet e konfirmuara, shumica janë të shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive, ndërsa 15 pacientë janë shëruar dhe janë lëshuar nga spitali.

Klekovski tha se kapacitetet për diagnostikim janë rritur ndjeshëm dhe aktualisht kryhen nga katër deri në tetë analiza në ditë. Sipas tij, për konfirmimin përfundimtar të diagnozës nevojiten dy teste të pavarura.

Ministri theksoi se mjekët dhe institucionet shëndetësore janë informuar për simptomat dhe mënyrat e diagnostikimit, ndërsa sistemi shëndetësor është në gatishmëri për zbulimin dhe trajtimin e rasteve të reja.

“Janë njoftuar të gjitha repartet e sëmundjeve infektive, mjekët amë, Klinika e Neurologjisë, si dhe neurologët në përgjithësi. Kështu, sistemi është në gatishmëri për njohjen dhe diagnostikimin e sëmundjes dhe kapacitetet për diagnostikim janë të disponueshme”, theksoi Klekovski.

Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Rreziku për forma të rënda është më i madh te personat mbi 60 vjeç, personat me imunitet të dobësuar dhe ata me sëmundje kronike. Mbrojtja kryesore mbetet shmangia e pickimeve të mushkonjave dhe eliminimi i ujërave të ndenjura ku ato shumohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *