25 zjarre në 24 orë, katër vatra ende aktive në vend
Në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 25 zjarre, prej të cilave katër janë aktive, tre nën kontroll dhe 18 janë shuar, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Sipas QMK-së, zjarre aktive janë evidentuar në afërsi të fshatrave Morane, Vrtekicë dhe Ramni Gabër në komunën e Studeniçanit, ku po digjet pyll i përzier. Vatër aktive ka edhe pranë Vidushit, Dragov Dolit dhe Lokvicës në komunën e Makedonski Brodit, ku po digjen bimësi e ulët, pyll me rritje të ulët dhe shkurre.
Zjarr po përhapet edhe në zonën e fshatit Slp, në territorin e Velesit dhe Zelenikovës, me drejtim nga Karabunjishta, Dobrino dhe Tisovica. Një tjetër vatër aktive është regjistruar pranë Kopancës dhe Tudencës, në komunat e Jegunovcës dhe Sarajit, nga ku zjarri po përhapet në drejtim të Bojanës.
Tre zjarre janë nën kontroll, ndërsa ekipet në terren po monitorojnë situatën dhe po ndërhyjnë aty ku është e nevojshme.
QMK njoftoi gjithashtu se gjatë fundjavës janë regjistruar 29 zjarre në hapësira të hapura, prej të cilave gjashtë ishin aktive në orët e mëngjesit, një nën kontroll dhe 22 të shuara.
Situata vjen në një periudhë kur rreziku nga zjarret në hapësira të hapura dhe pyje është rritur ndjeshëm. Qeveria ka shpallur gjendje krize në të gjithë territorin e vendit deri në fund të gushtit, për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret.
Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë masat për mbrojtje nga temperaturat e larta, ndërsa autoritetet paralajmërojnë kujdes të shtuar për shkak të kushteve të favorshme për përhapje të shpejtë të zjarreve.
12 gushti shënoi kulmin e deritanishëm të sezonit të zjarreve në vend, kur dhjetëra vatra aktive angazhuan zjarrfikësit dhe ekipet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në disa rajone.
Maqedonia e Veriut edhe në vitet e kaluara është përballur me një numër të madh zjarresh, veçanërisht gjatë muajve të verës, ndërsa gushti dhe shtatori kanë qenë periudha me rrezik të lartë për zjarre në pyje dhe hapësira të hapura.

