Aksion i madh policor në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli, gjashtë të arrestuar për kontrabandë me ilaçe
Aksion i madh policor po zhvillohet në disa lokacione në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli, në kuadër të një hetimi kundër një grupi kriminal të dyshuar për kontrabandë dhe tregti të paligjshme me ilaçe, medikamente dhe suplemente ushqimore.
Prokuroria Publike konfirmoi se aksioni ka nisur herët në mëngjes dhe po zhvillohet nën drejtimin e një prokurori publik nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore dhe Pjesëtarë të Policisë së Burgjeve pranë Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Në kuadër të aksionit janë duke u kryer bastisje dhe veprime të tjera hetimore në më shumë se dhjetë lokacione.
Deri më tani janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa policia është në kërkim të disa personave të tjerë, të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit kriminal.
Sipas informacioneve jozyrtare, në mesin e të dyshuarve ka edhe persona të punësuar në Drejtorinë e Doganave.
Të dyshuarit, përveç kontrabandës, dyshohet se kanë kryer edhe vepra të tjera penale, përfshirë cenimin e të drejtave të pronësisë industriale, dhënien dhe marrjen e ryshfetit, si dhe pastrimin e parave dhe të ardhurave të tjera nga veprat penale.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar se aksioni është zhvilluar nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar, nën drejtimin e një prokurori publik nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Aksioni është ende në vazhdim, ndërsa institucionet kompetente pritet të japin më shumë detaje gjatë ditës për numrin e përgjithshëm të të dyshuarve, personat e arrestuar, veprat për të cilat ngarkohen dhe nëse gjatë bastisjeve janë gjetur apo sekuestruar prova dhe sende të tjera.
Prokuroria ka njoftuar se pas përfundimit të veprimeve hetimore do ta informojë më në detaje opinionin publik.

