Nikolloski: Po zgjidhim problemin e shoferëve me marrëveshje dypalëshe me vendet e BE-së
Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ndërmerr hapa për të zgjidhur problemin me të cilin përballen transportuesit maqedonas pas zbatimit të Sistemit të Hyrje-Daljes (EES) të Bashkimit Evropian, deklaroi ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Ai tha se Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me shoqatat e transportuesve dhe se po punohet për marrëveshje dypalëshe me shtetet anëtare të BE-së, për të shmangur kufizimin e qëndrimit të shoferëve profesionistë në zonën Shengen.
Sipas Nikolloskit, marrëveshje janë arritur me Kroacinë, Zvicrën dhe Rumaninë, ndërsa negociatat po zhvillohen me Austrinë, Hungarinë dhe Gjermaninë. Ai paralajmëroi se gjatë tetorit pritet të nisin bisedimet edhe me Slloveninë.
Përmes këtyre marrëveshjeve, shoferët profesionistë maqedonas pritet të pajisen me viza afatgjata pune, duke u mundësuar qëndrimin e tyre përtej kufizimit prej 90 ditësh brenda 180 ditëve.
Nikolloski tha se me Greqinë dhe Bullgarinë, për shkak të statusit si vende fqinje dhe zonave ndërkufitare, nuk priten pengesa të tilla.
Deklarata e ministrit vjen pas paralajmërimeve të transportuesve se mund të organizojnë protesta nëse deri më 1 shtator nuk gjendet zgjidhje. Shoqatat e transportuesve nga Ballkani Perëndimor kanë paralajmëruar se presin rezultatin e takimit të nivelit të lartë me përfaqësues të Komisionit Evropian më 1 shtator, pas të cilit do të vendosin për hapat e mëtejshëm.
Transportuesit nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina janë përballur me probleme që nga zbatimi i rregullave të reja evropiane, pasi shoferët profesionistë regjistrohen si udhëtarë të zakonshëm dhe u nënshtrohen kufizimit të qëndrimit prej 90 ditësh në një periudhë prej 180 ditësh.
Nikolloski tha se nuk e sheh protestën si zgjidhjen më të mirë dhe theksoi se Qeveria do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje përmes negociatave dypalëshe.

