BE rishikon rregullat e zgjerimit, Maqedonia e Veriut mbetet në pritje të ndryshimeve kushtetuese
Bashkimi Evropian po përgatit një paketë të re rregullash për procesin e zgjerimit, në një kohë kur Brukseli po përballet me sfidën se si të pranojë anëtarë të rinj pa rrezikuar funksionimin dhe vendimmarrjen e brendshme të Unionit.
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka paralajmëruar se Komisioni Evropian së shpejti pritet të prezantojë propozime të reja për zgjerimin. Ajo ka theksuar se, krahas përgatitjes për pranimin e vendeve të reja, është e nevojshme edhe forcimi i mbështetjes nga 27 shtetet anëtare.
Sipas zyrtarëve në Bruksel, po shqyrtohen ndryshime në kushtet dhe rregullat që do të zbatoheshin për anëtarët e rinj. Në fokus janë përcaktimi më i qartë i të drejtave të tyre, por edhe krijimi i mekanizmave mbrojtës që do të mundësonin reagim në rast se një anëtar i ri do të pengonte funksionimin e politikave të përbashkëta të BE-së.
Detajet përfundimtare të këtyre propozimeve ende nuk janë bërë publike. Megjithatë, shqetësimi kryesor në Bruksel lidhet me mënyrën se si do të realizohet një zgjerim i shpejtë, pa krijuar pengesa të reja në vendimmarrjen e Unionit.
Një nga shembujt që përmendet nga zyrtarët evropianë është Hungaria gjatë qeverisjes së Viktor Orbanit, e cila në raste të ndryshme ka përdorur të drejtën e vetos për të bllokuar vendime të rëndësishme të BE-së. Pikërisht për këtë arsye, Brukseli po shqyrton mënyra për të mbrojtur politikat kryesore të Unionit në rast të zgjerimit me vende të reja.
Propozimet pritet t’u prezantohen liderëve të BE-së në mbledhjen e Këshillit Evropian që nis më 15 tetor. Në këtë mënyrë, procesi i zgjerimit mund të hyjë në një fazë të re, ku krahas reformave që duhet të përmbushin vendet kandidate, në diskutim janë edhe vetë rregullat e funksionimit të BE-së.
Maqedonia e Veriut, ende në bllokadë
Në këtë proces, Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet në një pozitë të komplikuar. Vendi është i bllokuar në rrugën drejt hapjes së negociatave për shkak të detyrimit për ndryshimin e Kushtetutës, si pjesë e marrëveshjes që i hapi rrugë procesit të integrimit evropian.
Ndryshimet kushtetuese parashikojnë përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë. Për miratimin e tyre nevojitet shumicë prej dy të tretash në Kuvend.
Pa këto ndryshime, Maqedonia e Veriut nuk mund të avancojë në fazën tjetër të procesit negociues. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i miratojë ndryshimet pa garanci shtesë nga Bashkimi Evropian dhe pa një qasje që, sipas saj, do të siguronte se vendi nuk do të përballet me kërkesa të reja gjatë procesit të integrimit.
Maqedonia e Veriut i nisi zyrtarisht bisedimet qasëse me BE-në më 19 korrik 2022, me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez nga Kuvendi më 16 korrik të po atij viti.
Ironia e procesit është se vendi nisi negociatat në vitin 2022, por sot ende nuk ka arritur të kalojë në fazën e hapjes së kapitujve, ndërsa Brukseli ndërkohë po diskuton një model të ri të zgjerimit dhe rregulla të reja për anëtarët e ardhshëm.
Nëse propozimet e reja të Komisionit Evropian do të ndryshojnë mënyrën se si vendet e reja integrohen në BE, mbetet për t’u parë nëse ato do të krijojnë edhe një hapësirë të re për vendet kandidate si Maqedonia e Veriut, apo do të sjellin kushte shtesë përpara anëtarësimit.

