Përplasjet politike për ujin në Gostivar vazhdojnë, analizat përfundimtare priten deri më 20 gusht
Rasti me cilësinë e ujit të pijshëm në Gostivar ka nxitur përplasje të reja politike, pasi ministri i Shëndetësisë njoftoi se rezultatet përfundimtare të analizave të ujit priten deri më 20 gusht.
LSDM akuzon institucionet për vonesa në publikimin e analizave zyrtare dhe pretendon se Qeveria nuk ka reaguar në kohë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Sipas opozitës, pushteti ka dhënë informacione kontradiktore për sigurinë e ujit dhe duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe institucionale.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE kundërshton këto akuza, duke thënë se problemi me ujin e pasigurt në Gostivar ka ekzistuar edhe gjatë qeverisjes së mëparshme të LSDM-së. Sipas partisë në pushtet, institucionet e asaj kohe kishin dijeni për praninë e baktereve në rrjetin e ujësjellësit, por nuk e informuan opinionin publik dhe nuk morën masat e nevojshme.
Edhe Aleanca për Shqiptarët reagoi, duke vlerësuar se situata e rëndë në Gostivar nuk duhet të shfrytëzohet për përfitime politike. Sipas kësaj partie, shqetësimi i qytetarëve nuk duhet të shërbejë për ngritjen e kauzave apo fushatave partiake.
Ndërkohë, institucionet kompetente po vazhdojnë analizat e cilësisë së ujit, ndërsa rezultatet përfundimtare priten në gjysmën e dytë të muajit gusht.
Kriza me ujin në Gostivar nisi më 17 korrik, kur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndaloi përdorimin e ujit për pije, pasi u zbulua se një pompë fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të ankesave të qytetarëve për probleme shëndetësore.
Disa ditë më vonë u arrestuan drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe dy punonjës të tjerë, ndaj të cilëve u hap hetim nën dyshimet se kanë ndotur ujin e pijshëm. Sipas hetimeve, më 25 qershor ata kishin urdhëruar vendosjen e tre pompave zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë sistemit të furnizimit me ujë, për të testuar presionin.
Rezultatet e analizave të publikuara më 20 korrik nga Prokuroria Publike treguan ndotje jashtëzakonisht të lartë të ujit. Në mostrat e analizuara u konstatuan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërkohë që kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Gjithashtu, në burimin e ujit u evidentuan koloni të shtuara bakteriale dhe prani e baktereve koliforme, ku standardi kërkon mungesë të plotë (0 cfu/100 ml), ndërsa analizat treguan 39 cfu/100 ml, duke konfirmuar ndotje të rëndë fekale të ujit të pijshëm.

