Pacientët onkologjikë protestojnë në Shkup: “Nuk mund të presim terapinë që na shpëton jetën”
Mungesa dhe vonesat e vazhdueshme të terapisë i nxorën sot në protestë pacientët onkologjikë para Ministrisë së Shëndetësisë në Shkup. Ata kërkuan zgjidhje të menjëhershme për furnizimin e rregullt me barna, duke paralajmëruar protesta të reja nëse institucionet nuk ndërmarrin masa konkrete.
Përfaqësuesja e organizatës HEMA–ONKO, Ana Marjanoviç, deklaroi se pacientët prej muajsh përballen me mungesa të barnave jetike si Zoladex, Fulvestrant dhe Xgeva, ndërsa vonesat në furnizim përsëriten pothuajse çdo muaj. Ajo u bëri thirrje institucioneve për më shumë transparencë dhe kërkoi që pacientët të mos përdoren për qëllime politike.
“Çdo muaj përballemi me të njëjtin problem. Ka vonesa prej pesë apo dhjetë ditësh dhe askush nuk na tregon saktësisht ku qëndron problemi. Kemi dëgjuar se fajësohen distributorët, por pacientët meritojnë përgjigje të qarta”, deklaroi Marjanoviç.
Nga Klinika e Onkologjisë pranuan se ka pasur vonesa në furnizim për shkak të rritjes së numrit të pacientëve, procedurave të prokurimit dhe mungesës së disa barnave te distributorët. Sipas Klinikës, pjesa më e madhe e terapisë tashmë është siguruar, ndërsa furnizimi me barnat e mbetura pritet të përfundojë gjatë kësaj jave.

