Arben Fetai emërohet i Dërguar Special për BE-në me seli në Bruksel
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka emëruar Arben Fetain të Dërguar Special për Bashkimin Evropian, me seli në Bruksel.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Fetai, i cili përmes një publikimi në rrjetet sociale e ka cilësuar emërimin si një nder të madh, por edhe si një përgjegjësi edhe më të madhe.
“Detyra që më është besuar është të angazhohem për avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit tonë, duke forcuar mbështetjen politike në institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së, kontribuar në tejkalimin e sfidave politike e diplomatike, si dhe duke e bërë zërin e Maqedonisë së Veriut më të fuqishëm dhe më të pranishëm në Bruksel e në kryeqytetet evropiane”, ka shkruar Fetai.
Ai ka theksuar se, pas një karriere të gjatë në Bruksel dhe përvojës së fituar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, këtë detyrë e merr me bindjen se e ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian.
Fetai ka falënderuar kryeministrin dhe Qeverinë për besimin, duke theksuar se angazhimi për rrugën evropiane të vendit do të vazhdojë.
“Rruga drejt Brukselit vazhdon. Me vendosmëri, me partneritet dhe me besim të plotë në të ardhmen tonë evropiane”, ka përfunduar ai.

