MPB paralajmëron për mashtrime të reja: Mos klikoni në linket për gjoba të rreme

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka paralajmëruar qytetarët për një rritje të sulmeve të tipit phishing, të cilat realizohen përmes SMS-ve, e-maileve, faqeve të rreme të internetit, aplikacioneve mobile dhe rrjeteve sociale.

Sipas MPB-së, mashtruesit dërgojnë mesazhe që paraqiten si njoftime nga Departamenti i Automjeteve Motorike përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, duke u kërkuar qytetarëve të paguajnë një kundërvajtje të supozuar në trafik përmes një linku të rremë.

MPB u bën thirrje qytetarëve të mos hapin linqe të dyshimta dhe të mos ndajnë të dhëna personale, numra të kartelave bankare apo fjalëkalime përmes kanaleve të paautorizuara. Gjithashtu, rekomandohet verifikimi i adresës së dërguesit dhe përdorimi i autentifikimit me dy faktorë (2FA).

Ministria sqaron se njoftimet zyrtare me SMS për kundërvajtje në komunikacion duhet të vijnë nga dërguesi “MVR-SC”. Mesazhi duhet të përmbajë targën e automjetit që ka kryer kundërvajtjen, ndërsa linku duhet të jetë në formatin zyrtar safecountry.mvr.gov.mk.

Sektori për Krim Kompjuterik pranë MPB-së po zhvillon hetime dhe po ndërmerr masa për zbulimin dhe ndëshkimin e autorëve të këtyre mashtrimeve.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të jenë veçanërisht të kujdesshëm dhe të mos klikojnë në linqe të panjohura apo të japin të dhëna personale dhe bankare përmes mesazheve të dyshimta.