74 milionë euro për Spitalin e Tetovës: Banka Botërore zbarkon në Tetovë, tenderi pas gjashtë muajsh
Pas disa muajsh paqartësish rreth investimit të paralajmëruar prej 74 milionë eurosh për Spitalin Klinik të Tetovës, sot në Tetovë u prezantuan më shumë detaje për projektin, në kuadër të një vizite të udhëheqësisë së shëndetësisë dhe një delegacioni të Bankës Botërore.
Projekti parasheh rikonstruksionin e plotë, zgjerimin dhe pajisjen e spitalit, ndërsa modeli përfundimtar i financimit do të përcaktohet pas përfundimit të analizave dhe procedurave të nevojshme.
Në kuadër të projektit parashikohet modernizimi i Bllokut të Kirurgjisë dhe atij të Sëmundjeve Interne, ndërtimi i një pavijoni të ri për disa veprimtari mjekësore, si dhe një objekti të veçantë për gjinekologji, obstetrikë dhe neonatologji. Gjithashtu, parashihet furnizimi me pajisje bashkëkohore mjekësore dhe sisteme të teknologjisë së informacionit, largimi i objekteve të amortizuara dhe rregullimi i plotë i kompleksit spitalor.
“Synimi ynë është që qytetarët e Tetovës dhe të rajonit të Pollogut të marrin shërbime shëndetësore bashkëkohore dhe në kohë, sa më pranë vendbanimit të tyre”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
I pyetur për afatet kohore, Klekovski tha se për përgatitjet dhe analizat do të nevojiten rreth gjashtë muaj, pas së cilës periudhë pritet të shpallet tenderi.
Drejtori i Spitalit të Tetovës, Erzen Elezi, tha se nga ana e spitalit janë përfunduar përgatitjet dhe projektimet e nevojshme.
“Grupi punues e ka bërë punën e vet për projektin e tre ndërtesave të reja dhe dy ndërtesave ekzistuese që do të rinovohen”, deklaroi Elezi.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, e cilësoi këtë projekt si një nga investimet më të rëndësishme për Spitalin e Tetovës.
“Besojmë dhe do të punojmë që ky projekt sa më shpejt të jetë në shërbim të qytetarëve të kësaj ane”, tha Kasami.
Nga investimi pritet të përfitojnë mbi 250 mijë banorë të rajonit të Pollogut, ndërsa synohet që qytetarëve t’u ofrohen më shumë shërbime shëndetësore në nivel lokal.
Investimin prej 74 milionë eurosh për transformimin e Spitalit Klinik të Tetovës e kishte paralajmëruar më 2 maj 2026 ish-ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. Në atë kohë, megjithatë, mbetën të paqarta burimi i financimit dhe mënyra se si do të investoheshin konkretisht këto mjete.

