VMRO-DPMNE merr 2.5 milionë euro nga buxheti, partitë politike arkëtojnë rreth 9 milionë euro në vitin 2026
Partitë politike në Maqedoninë e Veriut këtë vit do të marrin rreth 9 milionë euro nga Buxheti i shtetit për financimin e rregullt të aktiviteteve të tyre. Pjesën më të madhe të mjeteve e përfiton VMRO-DPMNE-ja, e cila në vitin 2026 ka arkëtuar një shumë rekord prej rreth 2.5 milionë eurosh, ndërsa pas saj renditen LSDM-ja dhe BDI-ja, shkruan Prizma.
Sipas analizës së të dhënave për pagesat e realizuara nga Ministria e Drejtësisë, VMRO-DPMNE-ja ka marrë rreth 2.5 milionë euro, LSDM-ja rreth një milion euro, ndërsa BDI-ja rreth 472 mijë euro. Vetëm këto tri parti kanë përfituar rreth 45 për qind të fondit të përgjithshëm të paraparë për financimin e partive politike.
Nëse kësaj liste i shtohen edhe “E Majta” dhe ZNAM-i, më shumë se gjysma e fondit shtetëror këtë vit ka përfunduar te vetëm pesë parti politike.
Në mesin e përfituesve kryesorë janë edhe partitë shqiptare. BESA, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët kanë marrë nga rreth 220 deri në 245 mijë euro, ndërsa Partia Demokratike e Turqve ka përfituar pak më shumë se 180 mijë euro.
Si ndahen paratë?
Financimi shtetëror i partive politike përcaktohet kryesisht nga rezultatet e tyre zgjedhore. Nga rreth 9 milionë eurot e parapara këtë vit, 30 për qind ndahen në mënyrë të barabartë ndërmjet partive dhe koalicioneve që kanë marrë të paktën një për qind të votave në zgjedhjet e fundit.
Pjesa tjetër, 70 për qind, shpërndahet në bazë të numrit të deputetëve dhe këshilltarëve të zgjedhur.
Ky mekanizëm favorizon veçanërisht partitë e mëdha, pasi në zgjedhjet lokale zgjidhet një numër shumë më i madh këshilltarësh sesa deputetësh. Në total, në zgjedhjet parlamentare dhe lokale zgjidhen 120 deputetë dhe 1.307 këshilltarë.
Kjo shpjegon edhe diferencën e madhe mes mjeteve të marra nga VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja. Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE në zgjedhjet e fundit lokale fitoi 548 këshilltarë, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja 231.
Për pasojë, në krahasim me vitin e kaluar, LSDM-ja këtë vit ka pësuar rënie prej rreth 40 për qind, nga 1.6 milionë në rreth një milion euro. Edhe BDI-ja ka shënuar rënie të ngjashme, nga rreth 840 mijë euro vitin e kaluar në 472 mijë euro këtë vit.
Edhe partitë e vogla përfitojnë nga pragu prej 1 për qind
Sistemi i financimit u mundëson edhe partive të vogla të marrin mjete nga buxheti, edhe në rast se nuk kanë deputetë dhe madje as këshilltarë.
Mjafton që në zgjedhjet lokale të kenë kaluar pragun prej një për qind në një komunë. Në komunat më të vogla, ky prag mund të arrihet edhe me vetëm 30 ose 40 vota.
Këtë vit, shtatë parti kanë përfituar më shumë se 80 mijë euro vetëm falë kalimit të këtij pragu. Në disa raste, parti që kanë qenë pjesë e koalicioneve të mëdha kanë garuar me lista të veçanta në komuna të caktuara për të siguruar financim të drejtpërdrejtë nga shteti.
Një prej rasteve është “Koncepti Maqedonas”, i cili në Debërcë garoi i pavarur, ndonëse në komuna të tjera ishte në koalicion me VMRO-DPMNE-në. Edhe pse nuk fitoi asnjë këshilltar, 149 vota i mjaftuan për të siguruar financim shtetëror gjatë katër viteve të ardhshme.
Miliona euro, por kontroll i kufizuar
Për të marrë fondet, partitë kanë detyrimin të dorëzojnë raporte financiare pranë Entit Shtetëror të Revizionit. Ato duhet të paraqesin raportin për donacionet, llogarinë vjetore dhe raportin vjetor financiar.
Këtë vit, Ministria e Drejtësisë ua ndërpreu përkohësisht pagesat shtatë partive të vogla, pasi nuk i kishin përmbushur obligimet ligjore. Pagesat u rikthyen pas plotësimit të dokumentacionit të kërkuar.
Megjithatë, një tjetër problem mbetet publikimi i raporteve financiare në ueb-faqet e partive. Ligji parasheh ndërprerjen e pagesave nëse raportet nuk publikohen deri në fund të prillit, por sipas EShR-së, ligji nuk përcakton qartë se cili institucion duhet të monitorojë dhe verifikojë këtë detyrim.
Si zgjidhje, institucionet kanë nisur diskutimet për digjitalizimin e raportimit financiar dhe krijimin e një platforme të përbashkët elektronike ku do të publikoheshin raportet e të gjitha partive politike.
Në total, të drejtën për financim shtetëror këtë vit e kanë siguruar 62 parti politike, ndërsa rreth një e treta e tyre kanë marrë më pak se 20 mijë euro.
Financimi nuk ndalet me këto 9 milionë euro
Paratë për funksionimin e rregullt nuk janë i vetmi financim publik për partitë politike. Nga buxheti paguhen edhe shpenzimet e fushatave zgjedhore, ndërsa katër partitë me rezultatet më të mira zgjedhore marrin mjete shtesë për qendrat e tyre hulumtuese.
Vetëm këtë vit, për këtë qëllim janë ndarë edhe 320 mijë euro për VMRO-DPMNE-në, LSDM-në, BDI-në dhe “E Majtën”.
Ndërkohë, një tjetër shumë e konsiderueshme e parave publike lidhet me fushatat zgjedhore. Sipas një hulumtimi të Portalb.mk, rreth 4.8 milionë euro publike përfunduan në llogaritë e mediave gjatë zgjedhjeve të fundit lokale. Mbi 3.3 milionë euro përfituan televizionet, ndërsa portalet dhe gazetat morën rreth 377 mijë euro.
Kështu, financimi publik i politikës në Maqedoninë e Veriut nuk kufizohet vetëm te paratë që partitë marrin drejtpërdrejt nga buxheti, por përfshin edhe miliona euro të tjera për fushata dhe aktivitete të lidhura me zgjedhjet.

