Akuza dhe kundërakuza mes partive, përplasje të reja mes BDI-VLEN dhe LSDM-VMRO

Përplasjet politike në Maqedoninë e Veriut kanë vazhduar edhe sot, me akuza dhe kundërakuza mes partive në të dy blloqet politike. BDI dhe VLEN shkëmbyen kritika për çështjet që lidhen me Marrëveshjen e Ohrit dhe përfaqësimin e drejtë, ndërsa LSDM dhe VMRO-DPMNE u përplasën rreth rrugës evropiane të vendit dhe të ashtuquajturit “propozim francez”.

BDI akuzoi VLEN-in për pafuqi dhe nënshtrim në Qeveri, duke thënë se partnerët e koalicionit u drejtohen me ultimatum pa hasur në reagim nga përfaqësuesit e saj.

Nga ana tjetër, VLEN reagoi se Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e BDI-së dhe e akuzoi këtë parti se për më shumë se dy dekada nuk e miratoi ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ndërsa tani po pengon miratimin e tij.

Në bllokun maqedonas, LSDM pretendoi se Qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski po përgatit terrenin për pranimin e “propozimit francez”, duke pohuar se për këtë ekzistojnë sinjale nga Brukseli, Berlini dhe Parisi.

VMRO-DPMNE i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe duke akuzuar LSDM-në për dezinformim. Partia në pushtet theksoi se, nëse do të kishte pasur synim pranimin e këtij propozimi, do ta kishte bërë tashmë duke pasur shumicën e nevojshme parlamentare.

Ndërkohë, përplasjet politike vazhdojnë në një kohë kur procesi i integrimit evropian i Maqedonisë së Veriut mbetet i bllokuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *