Tragjedia në Slloveni: Dy fëmijë dhe një grua 74-vjeçare humbën jetën në aksident
Policia e Koperit ka njoftuar se në mesin e tre shtetasve të Maqedonisë së Veriut që humbën jetën në aksidentin e rëndë trafiku në autostradën Primorska në Slloveni, janë dy fëmijë të moshës katër dhe 11 vjeç, ndërsa viktima e tretë është një grua 74-vjeçare.
Në aksident janë lënduar edhe një grua 33-vjeçare dhe shoferi 39-vjeçar. Gruaja është transportuar me helikopter në spital, ndërsa shoferi është dërguar me autoambulancë, njoftoi Policia e Koperit.
Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut konfirmoi se tre shtetas të vendit, një i rritur dhe dy të mitur, humbën jetën në aksidentin e rëndë që ndodhi më 27 gusht në autostradën A1, pranë Unecit në Slloveni.
“Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Lubjanë i është dorëzuar njoftim zyrtar nga policia sllovene për një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur më 27 gusht 2026 në autostradën A1, pranë Unecit. Në aksident kanë humbur jetën tre persona – një i rritur dhe dy të mitur, shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Janë lënduar edhe dy persona të tjerë që ndodheshin në automjet, të cilët gjithashtu janë shtetas maqedonas. Rastin po e trajtojnë organet kompetente policore në Koper”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Lubjanë është në komunikim me institucionet kompetente sllovene dhe po ndjek zhvillimin e mëtejshëm të procedurës.
Tre viktimat janë nga fshati Zhitineni, në Komunën e Qendër Zhupës. Kryetari i komunës, Arijan Ibraim, deklaroi për MIA-n se familja është me origjinë nga ky fshat, ndërsa jeton në Ravena të Italisë.
“Kam mbetur pa fjalë për të shprehur dhimbjen nga kjo tragjedi e tmerrshme që ka tronditur banorët e komunës sonë. Familja është me origjinë nga fshati Zhitineni, ndërsa jetojnë në Ravena të Italisë. Lutemi për shërimin e dy personave të tjerë të lënduar”, deklaroi Ibraim.
Sipas tij, në automjet ndodheshin prindërit e dy fëmijëve dhe gjyshja e tyre, e cila ishte nëna e shoferit.
Sipas informacioneve të publikuara nga Shoqata Sllovene Auto-Moto, aksidenti ka ndodhur pasditen e së enjtes, kur një kamion, për shkak të një defekti, ishte ndalur në hapësirën e paraparë për ndalim. Për arsye që ende nuk janë sqaruar, automjeti me pesë shtetas të Maqedonisë së Veriut ka goditur pjesën e pasme të majtë të rimorkios së kamionit.
Mjeku ka konstatuar vdekjen e tre personave në vendngjarje. Një nga të lënduarit është transportuar me helikopter në spital, ndërsa shoferi është dërguar me autoambulancë.

