Skadon afati për Kodin Zgjedhor, Maqedonia humb 4,2 milionë euro nga BE-ja

Maqedonia e Veriut nuk arriti ta miratojë Kodin Zgjedhor brenda afatit të paraparë në Agjendën Reformuese, duke humbur kështu 4,2 milionë euro nga fondet e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.

Partitë politike nuk arritën konsensus për ndryshimet, ndërsa pika më e diskutueshme mbeti përfshirja e diasporës në procesin e votimit.

VMRO-DPMNE fajësoi LSDM-në, BDI-në dhe Levicën për dështimin e miratimit të ligjit, duke pretenduar se opozita refuzoi mundësinë për marrëveshje dhe bllokoi një nga reformat kyçe.

Nga VLEN deklaruan se Kodi Zgjedhor kërkon konsensus të gjerë politik dhe se kanë insistuar që diaspora të fitojë të drejtën e votës në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se kjo kërkesë mbështetet edhe nga partnerët e koalicionit qeveritar.

LSDM, ndërkaq, reagoi se humbja e 4,2 milionë eurove është pasojë e politikave të qeverisë, duke akuzuar VMRO-DPMNE-në se ka futur dispozita të kontestuara për votimin e diasporës me qëllim që ta fajësojë opozitën për bllokimin e reformave.

Edhe Levica hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se problemi kryesor nuk janë fondet e humbura, por fakti se me mosmiratimin e Kodit mbetet në fuqi sistemi aktual i financimit të reklamimit politik, përmes të cilit, sipas saj, partitë e mëdha do të përfitojnë rreth 10 milionë euro mjete publike.

Mosmiratimi i Kodit Zgjedhor shënon dështimin e përmbushjes së obligimit të dhjetë në kuadër të Agjendës Reformuese dhe sjell humbjen e 4,2 milionë eurove nga fondet evropiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *