Rama kujton 21 Janarin dhe e krahason me protestat e fundit: Dhuna nuk ka lidhje me rininë shqiptare
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kujtuar ngjarjet e 21 Janarit, duke bërë një paralelizëm me protestat e fundit në kryeqytet dhe duke dënuar dhunën ndaj policisë.
Në një komunikim në Facebook, Rama tha se i ka ende të freskëta kujtimet e 21 Janarit, kur, sipas tij, pati disa zjarre sporadike në atë perimetër, por nuk u dëmtua asnjë institucion dhe nuk u hodhën molotovë.
Ai rikujtoi se gjatë protestës së 21 Janarit u vranë me armë zjarri katër protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, të cilët, sipas tij, nuk mund të shkonin as në spital, pasi i priste dhuna.
Rama dënoi sulmet ndaj policisë, duke theksuar se, pavarësisht dëmeve të shkaktuara, përgjegjësit janë të rinj shqiptarë.
„Ata që përpiqen t’u nxjerrin sytë policëve dhe t’i vrasin, janë kriminelë, por janë fëmijët e këtij vendi. Dëmet nuk janë të vogla, por ndreqen“, u shpreh Rama.
Ai publikoi edhe imazhin e një guri të shkëputur nga bulevardi „Dëshmorët e Kombit“, që, sipas tij, është përdorur për t’u hedhur ndaj policisë dhe mund të shndërrohet në armë vdekjeprurëse.
Kryeministri gjithashtu u distancua nga grupet që, sipas tij, nxisin dhunën, duke theksuar se ato nuk përfaqësojnë studentët dhe rininë shqiptare.
„Kjo është një dhunë e verbër që nuk ka asnjë lidhje me rininë shqiptare“, deklaroi Rama.

