Mucunski: Dialogu me Bullgarinë vazhdon, Sllovakia kundër standardeve të dyfishta në BE

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, deklaroi se dialogu me Bullgarinë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut vazhdon, paralelisht me komunikimin me institucionet evropiane dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ai theksoi se çdo zgjidhje e mundshme duhet të jetë e qëndrueshme dhe të sigurojë konsensusin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

TIMÇO MUCUNSKI – MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME DHE TREGTISË SË JASHTME

„Dialog ka. Dialogun do të vazhdojmë ta zhvillojmë. Ky është një dialog dypalësh me Bullgarinë, por përfshin edhe komunikimin tonë aktiv me përfaqësuesit e institucioneve evropiane dhe me përfaqësuesit e vendeve anëtare.“

Mucunski theksoi se Maqedonia e Veriut është e gatshme të pranojë çdo ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Francën, për lehtësimin e dialogut mes Shkupit dhe Sofjes. Sipas tij, synimi është arritja e një marrëveshjeje afatgjatë dhe jo një zgjidhje e përkohshme.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar, rikonfirmoi mbështetjen e vendit të tij për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Ai kundërshtoi zbatimin e standardeve të dyfishta në procesin e anëtarësimit në BE, duke theksuar se kriteret duhet të jenë të njëjta për të gjitha vendet kandidate.

JURAJ BLANAR – MINISTËR I JASHTËM I SLLOVAKISË

„Republika e Sllovakisë është kundër çdo lloj standardi të dyfishtë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për shtete si Ukraina, Moldavia apo Gjeorgjia. Ne nuk mund të pranojmë që procesi i integrimit në BE, i cili bazohet në standardet evropiane, të ketë kritere të ndryshme për shtete të ndryshme.“

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *