Aksion policor në Tetovë: Dy të arrestuar për dyshimin e ndërmjetësimit në prostitucion
Më 21 shtator 2026, rreth orës 20:00, në rrugën “Ilinden” në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria 27-vjeçarin M.C. nga Tetova dhe 31-vjeçaren K.Z. nga fshati Bogovinë, me vendbanim në Tetovë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndaj tyre ekzistojnë baza dyshimi për kryerjen e veprës penale “ndërmjetësim në ushtrimin e prostitucionit”, sipas nenit 191 të Kodit Penal.
Të dy personat janë ndaluar në stacionin policor, ndërsa me urdhër të Gjykatës Themelore të Tetovës është kryer bastisje në shtëpinë dhe hapësirat ndihmëse të K.Z.-së.
Gjatë bastisjes është gjetur dhe konfiskuar një fishek, si dhe sende të tjera për të cilat dyshohet se kanë lidhje me veprën penale. Nga MPB-ja bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojnë parashtresat përkatëse.
Gjatë ndërhyrjes në banesë, policia është përballur me derë të mbyllur dhe është detyruar ta hapë me forcë. Brenda banesës janë gjetur edhe tre të rinj, për të cilët dyshohet se kanë qenë klientë.
Sipas informacioneve, gjatë arrestimit, 31-vjeçarja ka dalë në ballkon dhe ka kërcënuar se do të hidhej prej tij. Reagimi i shpejtë i policëve ka parandaluar tentimin për vetëvrasje.
Aksioni policor ka vijuar me bastisje edhe në disa banesa të tjera në të njëjtën ndërtesë, nën dyshimin për veprimtari të lidhura me prostitucionin.
Nga SPB Tetovë priten informacione shtesë gjatë ditës për detajet e aksionit dhe procedurën ndaj personave të përfshirë.

