LSDM kritikon Afrim Gashin pas aktgjykimit ndaj Thaçit: “Ligji nuk zgjidhet sipas kombësisë”

LSDM-ja opozitare e cilësoi si “jashtëzakonisht të papërshtatshëm” reagimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Më 16 shtator, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara i shpalli Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin fajtorë për disa vepra penale. Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Veseli me 18, Selimi me 13, ndërsa Krasniqi me 25 vjet. Të katër u liruan nga një pjesë e akuzave për krime kundër njerëzimit, ndërsa aktgjykimi mund të ankimohet.

Nga LSDM-ja thonë se vendimet e gjykatave ndërkombëtare duhet të respektohen, pavarësisht kombësisë së të akuzuarve apo kontekstit politik.

“Nëse gjykata ka marrë vendim se dikush është fajtor, atëherë kjo duhet të pranohet, derisa një gjykatë më e lartë të thotë ndryshe”, thuhet në reagimin e partisë.

LSDM-ja thekson se fakti që ekziston procedurë ankimore nënkupton se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar, por kjo, sipas saj, nuk e ndryshon parimin e respektimit të vendimit të shkallës së parë.

Partia kritikoi veçanërisht reagimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, duke vlerësuar se ai, si bartës i një funksioni të lartë shtetëror, duhet të veprojë në përputhje me qëndrimin institucional të shtetit.

“Reagimet e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, janë jashtëzakonisht të papërshtatshme. Ai ushtron funksion shtetëror, është kryetar i Kuvendit dhe përfaqësues i një shteti që dëshiron të jetë pjesë e BE-së. Nuk mund të ketë standarde të dyfishta”, thuhet në komunikatë.

Nga LSDM-ja theksojnë se aktgjykimi nuk duhet të interpretohet si vendim kundër popullit shqiptar apo kundër të drejtës së Kosovës për pavarësi, por si një vendim gjyqësor që u referohet personave dhe veprave konkrete.

“Gjykata gjykon individë”, thonë nga partia, duke shtuar se shndërrimi i një aktgjykimi gjyqësor në çështje etnike, sipas tyre, mund të thellojë ndarjet.

Në këtë kontekst, LSDM-ja përmend edhe rastin e Ratko Mlladiqit, duke theksuar se edhe në atë rast ishte mbështetur parimi se aktgjykimet gjyqësore duhet të respektohen.

“Ligji nuk zgjidhet sipas kombësisë”, është mesazhi i partisë opozitare.

LSDM-ja e lidhi reagimin e saj edhe me gjendjen e sistemit vendor të drejtësisë, duke akuzuar pushtetin për presione politike ndaj gjyqësorit dhe prokurorisë. Partia pretendon se Komisioni Evropian ka evidentuar probleme të tilla në raportet e tij, ndërsa akuzon se në vend “lëndët hiqen mënjanë” dhe ligjet interpretohen në mënyrë politike.

Nga LSDM-ja kërkojnë që i njëjti parim të zbatohet si për gjykatat ndërkombëtare, ashtu edhe për ato vendore, duke theksuar se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit u dha pas një procesi shumëvjeçar para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjykata konstatoi përgjegjësi penale për krime lufte të lidhura me ndalimin e paligjshëm dhe arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjet, ndërsa akuzat për krime kundër njerëzimit nuk u provuan përtej standardit të kërkuar të provës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *