Dogana pajiset me kamera trupore në Tabanoc, Bllacë dhe Qafë Thanë
Drejtoria e Doganave ka vënë zyrtarisht në përdorim kamera trupore për zyrtarët doganorë në tre vendkalime kufitare – Tabanoc, Bllacë dhe Qafë Thanë. Pajisjet janë siguruar me donacion nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së dhe synojnë forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit, si dhe rritjen e transparencës në punën e doganierëve.
Bëhet fjalë për gjithsej 30 kamera trupore, së bashku me sistemin dhe infrastrukturën përkatëse. Gjatë kryerjes së detyrave, zyrtarët doganorë do të mund të regjistrojnë procedurat në të cilat marrin pjesë, ndërsa incizimet mund të përdoren më vonë si dëshmi në procedura kundërvajtëse dhe penale.
Sistemi u promovua në një ngjarje zyrtare nga drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski, dhe ushtruesja e detyrës së ambasadores së SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Nikoll Varns.
“Me 30 kamerat trupore të siguruara, së bashku me të gjithë sistemin dhe infrastrukturën, kemi marrë një sistem i cili duhet të mundësojë mbrojtje më të madhe të zyrtarëve doganorë, parandalim dhe luftë efikase kundër korrupsionit, si dhe transparencë dhe besim më të madh në sistem”, deklaroi Nikollovski.
Ai theksoi se synimi është që Drejtoria e Doganave të funksionojë si një institucion modern dhe profesional, ku qytetarët kanë besim dhe ku zyrtarët që punojnë me integritet ndihen të mbrojtur dhe të vlerësuar.
Nga ana tjetër, Nikoll Varns tha se institucionet e fuqishme janë themeli i një shoqërie të sigurt dhe të begatë. Sipas saj, donacioni është pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për forcimin e institucioneve demokratike, luftimin e korrupsionit dhe mbështetjen e rritjes ekonomike.
“Kamerat mobile do ta ndihmojnë Administratën Doganore të përmirësojë transparencën, të parandalojë aktivitetet e paligjshme dhe të ndërtojë besimin e publikut”, tha Varns.
Ajo shtoi se zyrtarët doganorë janë në vijën e parë të mbrojtjes kundër substancave të paligjshme, mallrave të ndaluara, trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore, si dhe formave të tjera të krimit të organizuar që kalojnë kufijtë.
Sipas Varns, përdorimi i teknologjisë moderne do t’u mundësojë zyrtarëve doganorë t’i kryejnë detyrat e tyre me më shumë integritet dhe efikasitet, ndërsa njëkohësisht do të kontribuojë në forcimin e rolit të Maqedonisë së Veriut në sigurinë rajonale dhe globale.

