Bekim Qoku: U ndaluam në kufi për shkak të mbështetjes ndaj protestës në Tiranë

Ndihem i zhgënjyer nga mënyra se si janë trajtuar

Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar pas ndalimit të tij dhe disa zyrtarëve të tjerë të VLEN-it në pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar veprimin si të pajustifikuar dhe joproporcional.

Në një intervistë për SYRI TV, Qoku tha se ai personalisht e ka mbështetur protestën qytetare në Tiranë përmes postimeve në rrjetet sociale, por sqaroi se ky nuk është qëndrim zyrtar i koalicionit VLEN.

Sipas tij, autoritetet shqiptare i ndaluan në kufi vetëm për shkak të qëndrimeve të tyre publike, duke shtuar se një masë e tillë nuk duhet të zbatohet ndaj zyrtarëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

Qoku deklaroi se ndihet i zhgënjyer nga mënyra se si janë trajtuar, duke pretenduar se autoritetet shqiptare, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, po i trajtojnë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut si “trup i huaj” dhe madje si “armiq”. Ai kërkoi sqarime zyrtare për arsyet e ndalimit dhe shprehu shpresën që institucionet shqiptare të reagojnë për këtë rast.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *