Apeli konfirmon burgimin e përjetshëm për vrasësit e Vanjës dhe Pançes, babai i Vanjës do të rigjykohet

Gjykata e Apelit në Shkup ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Ljupço Palevski-Pallço, Velibor Manev, Bore Videvski dhe Vlatko Keshishev, të shpallur fajtorë për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit.

Në të njëjtin vendim, Apeli ka shfuqizuar aktgjykimin lirues për Aleksandar Gjorçevskin, babanë e Vanjës, i cili akuzohej për ndihmë në rrëmbim, duke e kthyer lëndën në Gjykatën Themelore për rigjykim.

Vendimi është marrë më 10 korrik, pas shqyrtimit të ankesave dhe propozimit të Prokurorisë së Lartë Publike. Nga Gjykata e Apelit njoftuan se versioni i plotë me shkrim i aktgjykimit do të publikohet pasi të përfundojë përgatitja e tij, për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe numrit të madh të provave.

Sipas aktakuzës, grupi kishte planifikuar rrëmbimin e Vanjës për të kërkuar shpërblim nga familja e saj, ndërsa Pançe Zhezhovski ishte rrëmbyer për t’iu marrë automjeti që do të përdorej në kryerjen e krimit. Vanja dhe Pançe u raportuan të zhdukur në fund të nëntorit 2023, ndërsa trupat e tyre u gjetën më 3 dhjetor të po atij viti.

Katër të dënuarit, të cilët prej afro tre vitesh ndodhen në paraburgim në burgun e Shutkës, pritet të transferohen në Burgun e Idrizovës për vuajtjen e dënimit me burgim të përjetshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *