Stuhia shkaktoi dëme në disa rajone të Maqedonisë së Veriut

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) njoftoi se stuhia e djeshme me erë të fortë, reshje intensive shiu dhe mot të ligë shkaktoi dëme materiale në disa rajone të Maqedonisë së Veriut.

Sipas QMK-së, më të goditura janë Shkupi, Kumanova, Koçani, Shtipi, Strumica dhe disa qytete të rajonit të Vardarit, ku janë regjistruar drunj të rrëzuar, kulme të dëmtuara, kabllo elektrike të këputura, shtylla të rrëzuara dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

Në Shkup, pas orës 17:00, në numrin emergjent 112 janë pranuar mbi 9.000 thirrje nga qytetarët, kryesisht për pasojat e motit të ligë.

Në Koçan, rreth 80 për qind e qytetit mbeti pa energji elektrike, ndërsa ndërprerja e furnizimit ndikoi edhe në sistemin e ujit. Në Shtip, era dëmtoi rreth gjysmën e kulmit të Spitalit Klinik dhe shkaktoi përmbytje në disa hapësira të objektit.

Në Tetovë janë regjistruar vetëm dëme të vogla materiale, ndërsa situata vlerësohet si stabile.

Ekipet e zjarrfikësve, policisë, EVN-së dhe ndërmarrjeve publike ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin e pasojave dhe rikthimin e gjendjes në normalitet.

QMK u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen pranë drunjve të dëmtuar, shtyllave dhe kabllove elektrike, si dhe çdo rrezik ta raportojnë në numrin emergjent 112.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *