Prokuroria heton raportet kontradiktore për cilësinë e ujit në Gostivar

Prokuroria Publike po heton raportet kontradiktore të lëshuara nga Qendra për Shëndet Publik (QSHP) Tetovë – njësia rajonale në Gostivar, të datave 29 qershor dhe 13 korrik, sipas të cilave uji në Gostivar ishte i sigurt për konsum, ndonëse hetimet kanë konstatuar se që nga 25 qershori në sistem ishin vendosur pompa që dyshohet se mundësuan depërtimin e ujërave të ndotura në rrjetin e ujësjellësit.

Drejtori i QSHP-së, Shaqir Zulbeari, deklaroi se nuk mund të komentojë për shkak të hetimeve në zhvillim, por theksoi se institucioni, sipas tij, ka vepruar në mënyrë profesionale dhe në përputhje me procedurat.

“Gjithçka që na ka kërkuar Prokuroria Publike ua kemi dorëzuar. Për rezultatet nuk mund të flasim derisa hetimi të përfundojë,” tha Zulbeari.

Lidhur me raportet që e vlerësonin ujin si të sigurt në periudhën kur po shtohej numri i të sëmurëve, ai sqaroi se rëndësi ka koha kur janë marrë mostrat dhe kur janë përpiluar raportet, duke shtuar se mjeku që i ka hartuar ato do të japë sqarime para Prokurorisë.

Zulbeari bëri të ditur se QSHP ka kontratë me ndërmarrjen publike “Ujësjellësi” në Gostivar dhe se ka analizuar të gjitha mostrat që i janë dorëzuar nga kjo ndërmarrje.

Ai shtoi se nuk beson se institucioni ka bërë gabime, por se çdo përgjegjësi eventuale do të përcaktohet nga hetimi.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se vlerësimi për cilësinë e ujit varet nga koha dhe vendi ku janë marrë mostrat.

Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga QSHP-ja të dorëzojë të gjitha analizat dhe lokacionet ku janë marrë mostrat gjatë këtij viti, me qëllim verifikimin e plotë të situatës.

Sipas Klekovskit, përgjegjësia ligjore për kontrollin e cilësisë së ujit i takon ndërmarrjes publike komunale që menaxhon sistemin e ujësjellësit, ndërsa autoritetet do të analizojnë nëse ky detyrim është përmbushur.

Ndërkohë, Prokuroria theksoi se hetimi është ende në fazë fillestare dhe se po shqyrtohet mënyra se si janë kryer analizat e ujit, pa paragjykuar nëse raportet kanë qenë të pasakta apo të rreme. Nëse ekspertizat dhe dokumentacioni tregojnë përgjegjësi edhe për persona ose institucione të tjera, hetimi mund të zgjerohet.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë konfirmoi se kishte pranuar raportet e QSHP-së të datave 29 qershor dhe 13 korrik, sipas të cilave uji ishte i sigurt për konsum, ndërsa vala e pacientëve me simptoma gastrointestinale kishte nisur pikërisht më 13 korrik.

Në Gostivar vazhdon të jetë në fuqi epidemia e problemeve gastrointestinale. Tre zyrtarë të ndërmarrjes publike “Komunalec” ndodhen në paraburgim 30-ditor nën dyshimet për ndotjen e sistemit të ujësjellësit.

Sipas rezultateve të analizave të publikuara nga Prokuroria më 20 korrik, në ujin e ndotur u konstatua një nivel i baktereve koliforme rreth 48 herë mbi kufirin e lejuar. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar përgjegjësinë e plotë për rastin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *