Ligji për përfaqësim të drejtë nuk u hodh në votim, opozita shqiptare akuzon shumicën për zvarritje
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk u vendos në votim në seancën e sotme të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, duke nxitur reagime të ashpra nga opozita shqiptare, e cila akuzoi shumicën parlamentare për zvarritje të procesit.
Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, kritikoi kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, për mungesën e tij në seancë, duke theksuar se ligji ishte propozuar nga vetë shumica, por po vonohet miratimi i tij për mungesë vullneti politik.
Nga ana tjetër, kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, akuzoi pushtetin se po tenton ta shtyjë dhe “kontrabandojë” ligjin përmes manovrave procedurale, duke aluduar edhe për presione ndaj deputetëve.
Nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska nga ZNAM, sqaroi se pika nuk është hequr nga rendi i ditës, por është shtyrë në bazë të nenit 170 të Rregullores së re të Kuvendit, i cili i jep kryetarit të Kuvendit të drejtën të caktojë kohën e votimit pas përfundimit të debatit.
Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj. Nevoja për një zgjidhje të re ligjore u krijua pasi Gjykata Kushtetuese, në tetor të vitit 2024, shfuqizoi mekanizmin e njohur si “Balancuesi”, i cili rregullonte përfaqësimin e komuniteteve në administratën shtetërore.

