Rruga Tetovë–Prizren, BDI akuzon për propagandë dhe shkelje proceduras
Projekti për ndërtimin e rrugës Tetovë–Prizren u bë temë debati në seancën e pyetjeve të deputetëve në Kuvend. Deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari, akuzoi Qeverinë se po e përdor projektin për propagandë politike, duke publikuar pamje të punimeve në terren, ndërkohë që, sipas saj, projekti ende ndodhet në fazën e projektimit.
Ajdari ngriti dilema lidhur me respektimin e procedurave ligjore, duke theksuar se traseja e planifikuar kalon nëpër territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr, zonë e mbrojtur si monument natyre. Ajo kërkoi sqarime nëse janë përpiluar dhe miratuar projektet infrastrukturore dhe nëse janë realizuar studimet dhe elaboratet e nevojshme para fillimit të punimeve.
Nga ana tjetër, ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë për këto pretendime. Ai deklaroi se projekti po zhvillohet sipas planit dhe kërkoi durim, duke theksuar se bëhet fjalë për një projekt kompleks në terren malor, me kosto të lartë për shkak të karakteristikave gjeologjike të Malit Sharr.
Ndryshe, për realizimin e këtij projekti është formuar një komision i përbashkët ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Transportit, Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore dhe institucioneve të Kosovës. Në anën e Kosovës, punimet për këtë projekt tashmë kanë nisur në terren.

