Tenderë rekord prej 356 milionë eurosh në vitin 2025, Tetova prin mes komunave
Komunat e Maqedonisë së Veriut dhe Qyteti i Shkupit kanë lidhur gjatë vitit 2025 gjithsej 4.300 kontrata për prokurime publike, me vlerë rekord prej 356 milionë eurosh. Sipas hulumtimit të Qendrës për Komunikime Qytetare, vlera e tenderëve komunalë në vitin zgjedhor është pothuajse dyfishuar krahasuar me vitin 2024, kur arriti në 190 milionë euro.
Komuna e Tetovës kryeson listën për nga vlera e prokurimeve publike, me 22,5 milionë euro. Ajo shënon edhe rritjen më të madhe vjetore, me rreth 20 milionë euro më shumë në vlerën e tenderëve. Në anën tjetër, Strumica regjistroi rënien më të madhe, me gjashtë milionë euro më pak.
Qyteti i Shkupit, për të dytin vit radhazi, nuk kryeson në këtë listë. Në vitin 2025 renditet në vendin e 14-të, me tenderë në vlerë prej 8,5 milionë eurosh. Ndërsa në fund të listës për nga vlera e përgjithshme e prokurimeve publike është komuna e Staro Nagoriçanes, me më pak se gjysmë milioni euro.
Sa i përket vlerës së prokurimeve publike për banor, Çairi renditet në vendin e parë me 2.381 euro për banor. Në të kundërtën, në Qendër Zhupë kjo vlerë është vetëm 12 euro.
Hulumtimi tregon se gjatë vitit të kaluar komunat kanë lidhur kontrata me gjithsej 1.185 kompani. Megjithatë, më shumë se një e katërta e vlerës së përgjithshme të tenderëve komunalë ka përfunduar te vetëm 10 kompani.
Kompania Zhikoll nga Strumica kryeson për nga vlera e përgjithshme e kontratave të fituara, me rreth një miliard denarë, ose afërsisht 16 milionë euro.
Të dhënat janë publikuar nga Qendra për Komunikime Qytetare, e cila ka përgatitur hulumtimin dhe bazën e të dhënave për prokurimet publike të komunave për vitin 2025.

