Mevlan Ademi: Provimi i jurisprudencës mbetet në maqedonisht, studentët paralajmërojnë rikthim në protesta
Provimi i jurisprudencës vazhdon të mbetet në gjuhën maqedonase, ndërsa studentët shqiptarë nuk e përjashtojnë mundësinë e rikthimit në protesta. Kështu ka reaguar përmes një statusi në Facebook njëri nga iniciatorët e lëvizjes studentore, Mevlan Ademi, pas propozimit të fundit për ndryshimet ligjore.
Sipas Ademit, propozimi nuk parasheh zhvillimin e provimit 100 për qind në gjuhën shqipe, nuk përcakton afat kohor për zbatimin dhe anashkalon Kushtetutën dhe ligjet ekzistuese. Ai shton se për provimet e tjera shtetërore ende nuk ka hapa konkretë.
Në reagimin e tij, Ademi thotë se qëndrimet e zëvendëskryeministrave janë lënë në harresë, ndërsa, sipas tij, ka mbetur i pandryshuar qëndrimi i kryeministrit Hristijan Mickoski i shprehur më herët lidhur me Komisionin e Venecias.
Megjithatë, ai e cilëson si pozitiv ndryshimin e qasjes institucionale, duke theksuar se nga qëndrimi fillestar se provimi nuk mund të mbahej ndryshe përveçse në maqedonisht, është kaluar te një propozim që, sipas tij, mundëson rreth 84 për qind të përmbajtjes në gjuhën shqipe.
Ademi vlerëson se për një zgjidhje të plotë nevojitet bashkëpunim i të gjithë përfaqësuesve shqiptarë, por shton se studentët nuk kanë kohë të humbin me lojëra politike dhe paralajmëron se mund të organizohen sërish për t’iu kthyer protestave.

