Drejtori i Spitalit të Tetovës: Në shtator pritet të realizohen edhe 59 punësime të reja

Spitali Klinik i Tetovës pritet të realizojë edhe 59 punësime të reja gjatë muajit shtator, pas 145 vendimeve për punësimin e stafit mjekësor që u ndanë ditë më parë.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi, i cili tha se punësimet e reja synojnë forcimin e ekipeve profesionale dhe rritjen e kapaciteteve të spitalit.

“Pas 145 vendimeve për punësimin e punonjësve mjekësorë që i ndamë ditë më parë në Spitalin Klinik të Tetovës, puna jonë vazhdon. Në shtator do të realizojmë edhe 59 punësime të reja, duke forcuar më tej ekipet profesionale dhe kapacitetet e spitalit për t’u shërbyer qytetarëve tanë”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu investime prej 74 milionë eurosh për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së Spitalit Klinik të Tetovës.

Sipas tij, investimet do të përfshijnë hapjen e Qendrës për Autizëm, hapjen e Kirurgjisë Torakale, ndërtimin e objektit të ri të Gjinekologjisë, objektit për Mjekësinë Ligjore, hapjen e pesë reparteve të reja, si dhe rikonstruktimin e bllokut kirurgjik dhe internistik.

Elezi vlerëson se rritja e numrit të punonjësve, hapja e shërbimeve të reja dhe modernizimi i infrastrukturës do të krijojnë kushte që Spitali Klinik i Tetovës të shndërrohet në Klinikë Universitare.

“Shtatori sjell staf të ri dhe shërbime të reja dhe moderne për qytetin tonë dhe jo vetëm”, ka theksuar drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *