Ethet e Nilit Perëndimor marrin edhe një jetë, numri i viktimave në 11

Një paciente 66-vjeçare nga Rosomani ka ndërruar jetë si pasojë e etheve të Nilit Perëndimor, duke e çuar në 11 numrin e viktimave nga kjo sëmundje në vend.

Drejtori i Klinikës Infektive në Shkup, Fadil Cana, bëri të ditur se pacientja kishte një formë të rëndë të sëmundjes, me përfshirje të sistemit nervor qendror, si dhe vuante nga disa sëmundje të tjera kronike.

Në Klinikën Infektive vazhdon të trajtohet edhe një paciente tjetër me formë të rëndë të sëmundjes, e cila prej gati një muaji ndodhet në kujdes intensiv dhe është nën ventilim mekanik.

Cana theksoi se që nga 25 shtatori nuk ka pasur shtrime të reja në spital për shkak të etheve të Nilit Perëndimor.

Për këtë sëmundje nuk ka bar specifik antiviral, ndërsa trajtimi synon lehtësimin e simptomave. Mbrojtja më e mirë mbetet parandalimi i pickimeve nga mushkonjat, përdorimi i repelentëve, rrjetave mbrojtëse dhe largimi i ujit të ndenjur, ku ato shumohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *