Dhuna policore në Shkup, pritet të sanksionohen zyrtarët e përfshirë

Ndërhyrja policore gjatë së cilës dy të rinj, të moshës 21 dhe 23 vjeç, pretendojnë se janë keqtrajtuar fizikisht më 7 tetor në Shkup, dyshohet se lidhet me një denoncim të mëparshëm për transport të mundshëm të lëndëve narkotike nga Tetova drejt Shkupit.

Sipas burimeve të kësaj medie, në ndërhyrje mori pjesë një patrullë policore, e njohur jozyrtarisht si „Jugosllavia“, për shkak të përbërjes së saj të përzier etnike, me zyrtarë policorë maqedonas, shqiptarë dhe boshnjakë.

Sipas informacioneve jozyrtare, pritet të ketë sanksione ndaj zyrtarëve policorë që morën pjesë në ndërhyrjen e kontestuar. Hetimi për rastin vazhdon, ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme priten informacione shtesë lidhur me rrethanat e ngjarjes dhe masat eventuale ndaj policëve të përfshirë.

Rasti shoqërohet me versione të ndryshme për atë që ka ndodhur gjatë ndërhyrjes. Sipas raportit të brendshëm policor, dy të rinjtë dyshohet se ia kanë marrë armën një zyrtari policor. Megjithatë, të rinjtë pretendojnë se arma përfundoi në automjetin e tyre pasi policia ua theu xhamin.

Ata gjithashtu pretendojnë se policia ka qëlluar me armë zjarri, ua ka prerë gomat automjetit dhe më pas i ka keqtrajtuar fizikisht, pasi ua ka lidhur duart dhe i ka detyruar të shtrihen përtokë.

Ngjarja ka nxitur reagime të ashpra politike, ndërsa mbetet të shihet se çfarë do të konstatojë hetimi për përgjegjësinë e zyrtarëve policorë dhe rrethanat e plota të ndërhyrjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *