BDI dhe ASH kërkojnë hetim për pretendimet për dhunë policore ndaj dy të rinjve
BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët kërkojnë hetim të plotë dhe transparent për rastin e dy të rinjve, të moshës 21 dhe 23 vjeç, të cilët pretendojnë se janë keqtrajtuar fizikisht nga zyrtarë policorë gjatë një ndërhyrjeje.
Sipas deklaratave të të rinjve, policia ua ka thyer xhamin e automjetit, ka qëlluar me armë dhe ua ka prerë gomat, ndërsa më pas i ka lidhur dhe i ka detyruar të shtrihen përtokë. Nga ana tjetër, sipas raportit të brendshëm policor të përmendur në informacionet e publikuara, të rinjtë dyshohet se ia kanë marrë armën një zyrtari policor.
BDI-ja kërkon hetim të paanshëm dhe përgjegjësi për çdo shkelje të mundshme, ndërsa ka kërkuar edhe dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.
Edhe Aleanca për Shqiptarët kërkon që rasti të zbardhet pa vonesa dhe rezultatet e hetimit të bëhen publike. Nga kjo parti thonë se, nëse vërtetohet përdorimi i paarsyeshëm i forcës apo keqpërdorimi i detyrës zyrtare, përgjegjësit duhet të sanksionohen.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka njoftuar se ka urdhëruar Departamentin për Kontroll të Brendshëm që ta hetojë rastin dhe të përcaktojë rrethanat e ngjarjes, si dhe përgjegjësinë e mundshme të zyrtarëve policorë të përfshirë.

