Artan Grubi ofron 335 mijë euro garanci për heqjen e arrestit shtëpiak në rastin “Lotaria Shtetërore”

Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, i akuzuar në rastin “Lotaria Shtetërore”, ka ofruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 335.707 eurosh si garanci për heqjen e masës së arrestit shtëpiak.

Lajmi është konfirmuar nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, e cila bëri të ditur se propozimi i mbrojtjes i është dërguar Prokurorisë Publike për mendim. Pas marrjes së përgjigjes, Këshilli Penal do të vendosë nëse garancia do të pranohet.

Masa e arrestit shtëpiak ndaj Grubit skadon më 13 tetor 2026, 60 ditë pas dorëzimit të aktakuzës. Ndërkohë, ndaj tij mbetet në fuqi masa për marrjen e përkohshme të dokumentit të udhëtimit dhe ndalimi i lëshimit të dokumenteve për kalimin e kufirit.

Në rastin “Lotaria Shtetërore”, përveç Grubit dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajramit, të akuzuar janë edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski. Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat që u ngarkohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *