Pas tre vitesh zvarritje, hapet çerdhja “Foleja” në Përshefcë të Tearcës

Pas disa vitesh zvarritje të procedurave administrative, çerdhja e re “Foleja” në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës sot hapi dyert për fëmijët. Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, njoftoi se ka vizituar ambientet e reja, ndërsa hapja solemne pritet të bëhet së shpejti.

“Me shumë gëzim vizitova sot ambientet e çerdhes, ku takova vogëlushët që po e përjetojnë ditën e tyre të parë në këtë hapësirë të re, të krijuar për kujdes, edukim dhe zhvillim”, deklaroi Memishi.

Ndërtimi i çerdhes kishte nisur në fillim të vitit 2022, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Megjithatë, hapja u shty për disa vite, fillimisht për shkak të çështjeve me rrjetin e ujësjellësit dhe më pas për shkak të procedurave administrative dhe mungesës së pëlqimit për punësimet.

Objekti ka sipërfaqe prej 1.400 metrash katrorë dhe kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç. Projekti, me vlerë rreth 980 mijë euro, është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit IPA 2, së bashku me institucionet vendore.

Investitorë janë Programi IPA 2, Ministria e Financave dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *