Integrimi në BE duhet të sjellë jetë më të mirë, porositë nga Forumi në Shkup
Integrimi evropian duhet të sjellë ndryshime konkrete në sistem dhe përmirësim të standardit të jetesës për qytetarët, u tha në Forumin Qytetar “Maqedonia e Veriut dhe e ardhmja e Evropës” në Shkup. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, theksoi se procesi evropian duhet të jetë angazhim afatgjatë dhe mbi ndarjet partiake, me përfshirje të vazhdueshme të qytetarëve.
Gashi tha se integrimi duhet të nënkuptojë arsim dhe shëndetësi më të mirë, vende pune dinjitoze, institucione funksionale, drejtësi të barabartë dhe luftë kundër korrupsionit.
Eurodeputeti austriak Tomas Vajc theksoi se progresi i vendit është i nevojshëm pavarësisht nëse synohet anëtarësimi në BE apo jo. Ai veçoi problemet me ndotjen e ajrit, deponitë ilegale, riciklimin, minierat dhe pylltarinë, duke theksuar se kushtet e mira të jetesës ndikojnë drejtpërdrejt edhe në zhvillimin ekonomik.
Ndërsa eurodeputeti sllovak Branislav Ondrush tha se politikanët duhet të punojnë jo vetëm për qytetarët, por së bashku me ta, duke e cilësuar këtë si një nga parimet e rëndësishme të procesit evropian.
Maqedonia e Veriut duhet të bëjë edhe ndryshimet kushtetuese, të cilat parashikojnë përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë dhe kërkojnë shumicë prej dy të tretash në Kuvend.

