Gashi: Qëndrimi për aktgjykimet ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së ishte personal, jo në cilësinë e kryetarit të Kuvendit

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka sqaruar se reagimi i tij pas aktgjykimit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte qëndrim personal dhe jo qëndrim në cilësinë e kryetarit të Kuvendit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në brifingun e sotëm, Gashi tha se reagimin e kishte publikuar në profilin e tij personal në Facebook dhe se në të nuk i ishte referuar askund Kuvendit si institucion.

“Pres që edhe ju gazetarët, edhe qytetarët ta kuptojnë se personi Afrim Gashi nuk mund të jetë 24 orë, edhe nga aspekti politik, vetëm kryetar i Kuvendit. Prandaj, duke qenë i vetëdijshëm se nuk po e them këtë nga pozita e kryetarit të Kuvendit, ky ishte qëndrimi im personal nga e kaluara ime politike”, deklaroi Gashi.

Ai shtoi se qëndrimi i tij nuk duhet të përzihet me funksionin që ushtron.

Reagimi i Gashit ishte publikuar më 16 shtator, në ditën kur Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimet ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Në postimin e tij, Gashi kishte deklaruar se katër ish-drejtuesit e UÇK-së i përkasin një kapitulli të lavdishëm të historisë së Kosovës. Ai gjithashtu kishte theksuar se bëhej fjalë për aktgjykim të shkallës së parë, ndaj të cilit lejohet ankesë.

Qëndrimi i tij shkaktoi reagime nga opozita, përfshirë LSDM-në, e cila e kritikoi Gashin duke argumentuar se si kryetar i Kuvendit ushtron një funksion të lartë shtetëror.

Ndërkohë, edhe partia e Gashit, VLEN, e kishte cilësuar si të padrejtë dhe të papranueshëm aktgjykimin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, gjithashtu e kishte cilësuar aktgjykimin si të padrejtë dhe zhgënjyes, duke bërë thirrje për përmbajtje dhe unitet dhe duke theksuar se beteja do të vazhdojë përmes procedurës së ankesës.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dënuan me burgime shumëvjeçare Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burg.

Pas aktgjykimit, përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar bënë thirrje që vendimi i gjykatës të pranohet dhe të respektohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *