BDI kërkon llogari për 100 eurot për filloristët, Kasami: Llogaria e Komunës është e bllokuar

BDI-Dega Tetovë ka kërkuar përgjegjësi nga Komuna për realizimin e premtimeve dhe përgatitjet për vitin e ri shkollor.
Në konferencën për media, BDI ngriti çështjen e ndarjes së 100 eurove për çdo nxënës të klasës së parë, premtim i bërë nga kryetari Bilall Kasami në qershor.
Armend Imeri nga BDI kërkoi të dihet se kur do t’u shpërndahen mjetet prindërve dhe sa paralele të shkollave të mesme kanë marrë pëlqim.
“Viti shkollor ka filluar, ndërsa mjetet akoma nuk janë shpërndarë. Kur do t’i marrin nxënësit këto mjete?”, pyeti Imeri.
Nga Komuna e Tetovës thonë se vonesa është shkaktuar nga bllokimi i xhirollogarisë komunale nga përmbaruesit, si pasojë e borxheve të trashëguara.
Kryetari Bilall Kasami deklaroi se Komuna është duke punuar për shlyerjen e detyrimeve dhe zhbllokimin e llogarisë.
“Po punojmë që brenda këtyre dy muajve të paguhen edhe borxhet e fundit që janë në përmbarues dhe të menaxhojmë me llogarinë e Komunës”, deklaroi Kasami.
Ai shtoi se pas zhbllokimit të llogarisë, prioritet do t’u jepet pagesave të parapara për nxënësit e shkollave fillore.
Përveç çështjeve financiare, BDI kërkoi edhe transparencë për optimizimin e paraleleve dhe planifikimin strategjik të Komunës në arsim.
Ndërkohë, rënia demografike vazhdon të ndikojë në sistemin arsimor, me rreth 9 mijë nxënës më pak në klasën e parë krahasuar me vitin shkollor 2016/2017.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *