Ambasadori shqiptar Denion Meidani nderon figurën e Nënë Terezës: Një dritë që ndriçon botën. Gonxhe për ne, Nënë Tereza për botën
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidan, ka nderuar figurën e Nënë Terezës përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale. Meidan theksoi prejardhjen shqiptare të Gonxhe Bojaxhiut, e lindur në Shkup, dhe misionin e saj humanitar në mbarë botën.Sipas tij, jeta e Nënë Terezës lidh krenarinë e kombit shqiptar me ndërgjegjen e njerëzimit.Ambasadori vlerësoi shembullin e saj, duke theksuar se ajo e dëshmoi shenjtërinë përmes afërsisë dhe përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë.
Shembulli i saj na kujton se shenjtëria nuk qëndron në largësi nga bota, por në afërsinë me njeriun. Në aftësinë për të parë dhimbjen, për ta ndjerë atë dhe për të mos u dorëzuar e larguar, shkruan Meidani.
Ai e cilësoi Nënë Terezën si një figurë që dëshmon se edhe nga një vend i vogël mund të lindë një dritë që ndriçon gjithë botën.
Në mesazhin e tij, Meidan veçoi identitetin shqiptar, besimin dhe forcën e prejardhjes së saj.
Ajo mbetet një krenari e rrallë: dëshmia se edhe nga një vend i vogël mund të lindë një dritë që ndriçon botën, shton Meidani
“Gonxhe për ne. Nënë Tereza për botën. Shenjtore për njerëzimin”, shkroi ambasadori shqiptar.

