“Treni i Qytetit” nis qarkullimin në Shkup, Zelenikova lidhet me Stacionin Hekurudhor

Nga sot nis të qarkullojë “Treni i Qytetit”, i cili do të lidhë Zelenikovën me Stacionin Hekurudhor në Shkup.

Bëhet fjalë për të parën nga gjithsej tri linjat e parashikuara në kuadër të këtij projekti. Treni niset nga Zelenikova dhe ndalon në stacionet Novo Zelenikovë, Oreshan, Jane Sandanski, Draçevë dhe Lisiçe, për të përfunduar në Stacionin Hekurudhor në Shkup.

Në këtë linjë do të qarkullojnë tre trena, sipas një orari të përcaktuar nga “Hekurudhat e Maqedonisë – Transport”. Për realizimin e projektit, NP “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastrukturë” ka kryer rikonstruksion të plotë të hekurudhës, me qëllim rritjen e sigurisë dhe mundësimin e shpejtësive më të larta të trenave.

Projekti “Treni i Qytetit” do të integrohet edhe me orarin e transportit publik të NQP “Shkup”, me synimin për të krijuar një sistem transporti publik më cilësor, të integruar dhe efikas për qytetarët, studentët dhe nxënësit.

Ndërkohë, nga Ministria e Transportit bëjnë të ditur se po punohet paralelisht edhe për projektimin e dy linjave të tjera. Linja e dytë parashihet të lidhë Stacionin Hekurudhor me Butelin, Shkup-Veriun dhe Gjorçe Petrovin, ndërsa linja e tretë do të qarkullojë nga Stacioni Hekurudhor, përmes Autokomandës dhe Maxharit, deri në Ilinden.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *