Nxënësit e klasave të para në Tetovë ende pa vauçerët prej 100 eurove, Kasami fajëson bllokadën nga borxhet
Nxënësit e klasave të para në Tetovë ende nuk i kanë marrë vauçerët prej 100 eurove, të premtuara nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami
Vauçerët janë të destinuar për nxënësit që janë regjistruar në klasë të parë deri më 20 qershor dhe, sipas planifikimeve, duhej të shpërndaheshin gjatë muajit korrik.
Për mosrealizimin e këtij premtimi, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, thotë se pagesat nuk janë realizuar për shkak të bllokimit të llogarisë së komunës nga borxhet. Sipas tij, mjetet që hyjnë në arkën komunale shkojnë menjëherë për shlyerjen e detyrimeve përmes përmbaruesve.
“Problemi këtu është me përmbaruesit. Ne kemi dërguar urdhërpagesat për t’i paguar paratë për nxënësit e klasave të para, por fatkeqësisht përmbaruesit, përkatësisht Thesari, nuk i kanë realizuar këto urdhërpagesa për shkak se jemi të bllokuar. Shpresojmë dhe po punojmë që gjatë muajve të ardhshëm të dalim nga bllokada dhe prioritet i parë do të jetë pagesa e urdhërpagesave për nxënësit e klasave të para”, tha Kasami.
Sipas të dhënave të publikuara gjatë muajit maj, borxhi i Komunës së Tetovës arrinte në 11,9 milionë euro.
Vauçerët për fëmijët që regjistrohen në klasë të parë në vitin shkollor 2026/2027, në vlerë prej 6.150 denarësh, u miratuan me vendim të Këshillit të Komunës së Tetovës në seancën e 14-të, të mbajtur në fillim të qershorit të këtij viti.
Kujtojmë se ndarja e vauçerëve për nxënësit e klasave të para ishte gjithashtu një nga premtimet parazgjedhore të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

