Ligjet për përfaqësim të drejtë dhe arsimin e lartë ‘flenë’ në Kuvend, mungon konsensusi për Badenterin
Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Ligji për arsimin e lartë dhe ligje të tjera për të cilat nevojitet shumica e dyfishtë, e njohur si Badenteri, do të vazhdojnë të presin në sirtarët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut derisa të arrihet një konsensus politik.
Gjatë muajit shtator, Kuvendi pritet të mbajë të paktën katër seanca, por sfidë mbetet votimi i ligjeve për të cilat kërkohet mekanizmi i Badenterit. Në mesin e tyre janë Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe Ligji për arsimin e lartë, të cilët janë kundërshtuar vazhdimisht nga opozita shqiptare.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha se nuk dëshiron të japë afate konkrete për votimin e këtyre ligjeve, duke theksuar se ato do të hidhen në votim kur të krijohen kushtet e nevojshme dhe të arrihet pajtim politik mes partive.
Ai gjithashtu kritikoi përdorimin e Rregullores së Kuvendit për bllokimin e proceseve ligjvënëse, duke vlerësuar se një praktikë e tillë mund të krijojë precedent edhe për të ardhmen.
Nga ana tjetër, BDI-ja vazhdon të kundërshtojë Ligjin për përfaqësim të drejtë, duke vlerësuar se ai nuk përmban mekanizma detyrues për zbatim dhe as sanksione për institucionet që nuk e respektojnë.
Përplasje mes pozitës dhe opozitës ka pasur edhe për Ligjin për arsimin e lartë. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se Badenteri nuk duhet të përdoret si mjet për arritjen e zgjidhjeve politike, veçanërisht në fushën e arsimit.
Partitë opozitare shqiptare, ndërkaq, kërkojnë që gjatë miratimit të ligjeve që lidhen me arsimin e lartë të zbatohet parimi i Badenterit, duke argumentuar se kjo kërkohet nga dispozitat kushtetuese që kanë të bëjnë me arsimin dhe të drejtat e komuniteteve.
Kështu, mungesa e konsensusit politik vazhdon të mbajë të bllokuara disa prej ligjeve më të debatueshme, ndërsa mbetet e paqartë se kur ato do të arrijnë për votim në Kuvend.

