“Bota serbe” përplas partitë politike, akuza të ndërsjella për agjenda dhe bashkëpunim me Beogradin

Partitë politike në vend janë përplasur sot lidhur me çështjen e të ashtuquajturës “botë serbe”, duke shkëmbyer akuza të rënda për bashkëpunim dhe përfshirje në agjenda dhe skenarë serbë.

Partia opozitare LSDM deklaroi se kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, janë zbatues të veprimtarisë hibride të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Ballkan.

Nga LSDM vlerësojnë se Maqedonia e Veriut, me Mickoskin në krye, është bërë peng i interesave të huaja në Ballkan dhe se politikat e Qeverisë po e largojnë vendin nga Bashkimi Evropian. Sipas kësaj partie, Vuçiq po vendos votimin elektronik, po shpërndan pasaporta dhe po regjistron qytetarë nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut në Serbi, me qëllim që, sipas pretendimeve të LSDM-së, të përgatitet për manipulime zgjedhore.

“Siç kemi thënë tashmë prej muajsh, Mickoski po bën ‘copy-paste’ të gjithçkaje që Vuçiq dhe partia simotër SNS bëjnë në Serbi. Mediat janë përgatitur. Latas, njeri i shërbimeve serbe, zhvillon fushata sipas metodës së Gebelsit – ofendime, përçarje dhe përsëritje e vazhdueshme e të njëjtit term fyes për ta dehumanizuar kundërshtarin politik. Stoilkoviqi në Maqedoni hapur punon në agjendën kineze dhe ruse. I ofendon deputetët në Kuvend dhe e glorifikon Ratko Mlladiqin”, thonë nga LSDM.

Sipas partisë opozitare, e gjithë kjo është pjesë e së njëjtës fushatë.

“Kjo është politikë e vetëdijshme e Mickoskit dhe grupit të tij kriminal për ta mbajtur Maqedoninë larg BE-së, në izolim dhe më pranë forcave autoritare dhe ndikimeve lindore”, shtojnë nga LSDM.

Nga VMRO-DPMNE i kanë cilësuar si hipokrizi akuzat e LSDM-së, duke e lidhur këtë parti me ish-këshilltarin e Zoran Zaevit për vetëqeverisjen lokale, Viktor Petrushevski, për të cilin pretendojnë se përmendet në një rast spiunazhi në një vend fqinj.

“Në të njëjtin rast për bashkëpunëtorët e BIA-s përmendet edhe emri i Petrushevskit, këshilltarit të mentorit të Venko Filipçes, Zoran Zaevit. Nga ana tjetër, kryetarët e komunave të LSDM-së, si ai i Kriva Pallankës, këto ditë organizojnë koncerte pikërisht me këngëtarët e Aleksandar Vuçiqit, për të cilin thonë se dëshiron ta zgjerojë ndikimin e tij edhe në territorin tonë. Ndërsa, nga rasti i Petrushevskit shihet se kush është zbatues dhe bashkëpunëtor i shërbimeve serbe”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Përplasje për të njëjtën temë ka pasur edhe në kampin politik shqiptar. BDI ka akuzuar VLEN-in për heshtje përballë glorifikimit të Ratko Mlladiqit, duke vlerësuar se glorifikimi i kriminelëve të luftës nga partnerët e VLEN-it nuk është një incident i izoluar.

Sipas BDI-së, kjo është pjesë e një politike të heshtjes, tolerancës dhe nënshtrimit ndaj partnerëve të pushtetit, ndërsa “bota serbe”, siç thonë ata, ka depërtuar thellë në strukturat politike dhe institucionale të vendit.

“Ivan Stoilkoviq dhe partia e tij serbe kanë shfaqur vazhdimisht qëndrime të tilla, duke e quajtur masakrën e Srebrenicës ‘Disneyland nekrofil’. Pikërisht këtë profil politik dhe këtë qasje ndaj një prej gjenocideve më të tmerrshme në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, VLEN-i e ka partner në Qeveri, ndërsa edhe një drejtues i zgjedhur nga vetë VLEN-i në institucionin përgjegjës për të drejtat e komuniteteve është përfshirë në glorifikimin e Mlladiqit”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nga kjo parti shtojnë se VLEN nuk mund të sillet si spektator, pasi është pjesë e Qeverisë dhe, sipas tyre, mban përgjegjësi për partnerët që i ka në pushtet.

Reagimet vijnë pasi të premten, më 28 gusht, drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, shpërndau një përmbajtje që glorifikonte figura çetnike dhe ish-komandantin e ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq.

Edhe nga partia e Ivan Stoilkoviqit është publikuar një mesazh që glorifikon Ratko Mlladiqin, duke e paraqitur atë si “shpëtimtar të popullit serb në Bosnjë”.

Pas reagimeve të shumta në opinion, reagoi edhe VLEN, duke dënuar çdo glorifikim të çetnikëve dhe veçanërisht të Ratko Mlladiqit.

“Akoma më shqetësuese është kur përmbajtje të tilla publikohen nga drejtuesi i një institucioni që ka për detyrë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera. Kjo nuk është çështje shijesh apo bindjesh personale. Është çështje e standardeve të një zyrtari publik dhe e mesazhit që institucionet ua dërgojnë qytetarëve. VLEN kërkon përgjegjësi të menjëhershme. Kush nuk respekton viktimat dhe vlerat e bashkëjetesës nuk mund të jetë garant i të drejtave të komuniteteve”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *