“Më Mirë për Tetovën”: Punëtorët e NPK-së nuk duhet të përdoren si dekor për PR politik

Ajo që u pa në manifestimin e djeshëm të Komunës së Tetovës është e papranueshme, reaguan nga iniciativa “Më Mirë për Tetovën”, duke akuzuar autoritetet komunale për keqpërdorimin e punëtorëve të NPK “Tetova” për qëllime promovuese politike.

Reagimi vjen pas ngjarjes së organizuar në sheshin e Tetovës, ku autoritetet komunale njoftuan se, pas shumë vitesh, punëtorëve të NPK-së u janë paguar të gjitha pagat dhe kontributet e prapambetura.

Nga “Më Mirë për Tetovën” e përshëndetën faktin që punëtorët më në fund kanë pranuar pagat që u takojnë, por vlerësuan se mënyra e organizimit të manifestimit nuk ishte e hijshme.

“Shërbimet dhe institucionet publike nuk janë pronë e askujt, ndërsa punëtorët, posaçërisht, nuk duhet të kushtëzohen për atë që meritojnë duke u bërë pjesë e fushatave promovuese”, thuhet në reagim.

Ata kritikuan edhe përdorimin e një pankarte të madhe me mbishkrimin “Faleminderit”, duke ngritur pyetje se kush ka financuar materialet dhe organizimin e manifestimit.

“Publiku ka të drejtë ta dijë nëse këto materiale janë paguar me paratë e NPK-së, të Komunës apo të partisë”, theksojnë nga “Më Mirë për Tetovën”.

Sipas tyre, punëtorët e NPK-së meritojnë paga të rregullta, kontribute të mbuluara, sigurim shëndetësor, kushte të mira pune, respekt dhe siguri, e jo të instrumentalizohen për fotografi dhe propagandë politike.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, deklaroi se për herë të parë pas më shumë se 15 vitesh, punëtorët e NPK-së kanë paga dhe kontribute të paguara, pa borxhe të prapambetura.

“Ne e premtuam dhe sot e realizuam. Një falënderim i veçantë për punëtorët e NPK-së, të cilët për vite me radhë, edhe në kushte të vështira, kanë vazhduar t’u shërbejnë qytetarëve të Tetovës”, deklaroi Kasami.

Punëtorët e NPK “Tetova” prej vitesh janë përballur me vonesa të pagave dhe probleme me sigurimin shëndetësor. Ndërkohë, Komuna e Tetovës e ka subvencionuar ndërmarrjen disa herë me miliona denarë, ndërsa kjo çështje ka qenë vazhdimisht objekt kritikash nga opozita.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *