BDI: Alternativa dhe BESA figurojnë ende si parti më vete, VLEN-i duhet të sqarojë statusin e tyre
BDI-ja ka vënë në pikëpyetje statusin juridik të partive që përbëjnë koalicionin VLEN, duke pretenduar se Alternativa dhe BESA vazhdojnë të figurojnë si subjekte të veçanta politike në Regjistrin Qendror. Sipas BDI-së, në dokumentet zyrtare Alternativa figuron me Zekirija Berishën si kryetar, ndërsa BESA me Bilall Kasamin.
BDI kërkon sqarime se kur dhe nga cili organ partiak është marrë vendimi për ndryshimin e drejtimit të Alternativës dhe pse, sipas saj, ky ndryshim nuk është bërë publik. Opozita shqiptare e cilëson situatën si dëshmi se partitë brenda VLEN-it vazhdojnë të funksionojnë veçmas dhe e akuzon koalicionin për “mashtrim” lidhur me procesin e bashkimit të partive.
“Kur është zgjedhur Zekirija Berisha kryetar? Cili organ partiak e ka marrë këtë vendim? Pse ndryshimi është mbajtur i fshehtë?”, pyet BDI në reagimin e saj.
“BESA vazhdon të ekzistojë me Bilall Kasamin kryetar. Alternativa vazhdon të ekzistojë me Zekirija Berishën kryetar”, thuhet në reagimin e BDI-së.

