Mickoski: BPV-ja është rritur më shumë, ndërsa borxhi publik më pak në periudhë më të shkurtër
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke krahasuar periudhën e qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së me dy vitet e para të Qeverisë së VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it, tha se ekonomia ka shënuar rezultate më të mira me një rritje më të vogël të borxhit publik.
Sipas Mickoskit, për një periudhë tre herë më të shkurtër, BPV-ja është rritur për 120 milionë euro më shumë krahasuar me gjashtë vitet e qeverisë së kaluar, ndërsa borxhi publik është rritur më pak se tre herë. Ai tha se këto rezultate e kanë zhvendosur Maqedoninë e Veriut nga fundi i rajonit drejt vendeve të para sa u përket këtyre parametrave, por theksoi se duhet të punohet edhe më shumë.
„Kur udhëhiqni një proces edhe në politikë duhet të bëni analizë krahasuese. Nëse nuk bëni analizë krahasuese, atëherë endeni në mjegull dhe nuk e dini se ku do të arrini. Dje u përpoqa të bëj një analizë krahasuese të disa parametrave kyç në ekonomi, njëri prej tyre është borxhi publik, ndërsa i dyti është BPV-ja. Me BPV-në mund ta vlerësoni fuqinë e një shteti, ndërsa gjendja e borxhit bruto publik në fakt tregon se sa keni marrë hua dhe nëse vërtet i keni investuar ato para për të gjeneruar rezultate më të mira ekonomike.
Cili është përfundimi? Nëse krahasohet periudha e Qeverisë së mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së me periudhën e kësaj Qeverie të VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it, atëherë do të arrijmë deri tek parametrat vijuese, për një periudhë tre herë më të shkurtër, BPV-ja është rritur për 120 milionë euro më shumë. Pra, BPV-ja për këto dy vite është 120 milionë euro më e madhe sesa gjatë gjashtë viteve të mëparshme të Qeverisë së kaluar. Ndërkohë, borxhi publik është rritur për diçka më pak se tre herë.
Për një rritje më të vogël të borxhit publik, ndërsa për një periudhë tre herë më të shkurtër, kemi rritje të BPV-së. Me fjalë të tjera, tre me një. Përafërsisht i tillë është edhe raporti i rejtingjeve të partive politike, por të tilla janë edhe rezultatet në ekonomi.
A është kjo e mjaftueshme? Jo. A duhet të punohet edhe më shumë? Po. Por, duke pasur parasysh se deri para tre vitesh ishim bindshëm në fund të rajonit, tani jemi në vendin e parë ose të dytë kur bëhet fjalë për këto parametra.“

