Nga “non grata” te partneriteti me SHBA-në – Qyra: Struga po hap kapitull të ri
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, e sheh vizitën e ushtrueses së detyrës së ambasadores së SHBA-së, Nicole Varnes, si një mundësi për një kthesë të re në imazhin dhe funksionimin institucional të qytetit.
Në një reagim në Facebook, Qyra thotë se vizita nuk duhet parë vetëm si takim diplomatik, por si një sinjal për ndryshimin e qasjes së institucioneve lokale dhe forcimin e marrëdhënieve të Strugës me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët euroatlantikë.
Qyra e lidh këtë moment edhe me të kaluarën e afërt të qytetit. Ai kujton se në vitin 2023, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli ish-kryetarin e Strugës, Ramiz Merko, person non grata, për shkak të përfshirjes në korrupsion të konsiderueshëm.
“Për shumë vite, Struga u përball me një realitet që e dëmtoi rëndë imazhin e saj”, shprehet Qyra, duke nënvizuar se tani synimi është që qyteti të prezantohet me një qasje tjetër, të bazuar në integritet, transparencë dhe përgjegjësi.
Sipas tij, qytetarët e Strugës kanë ruajtur ndër vite një orientim të fortë pro-amerikan, ndërsa detyra e institucioneve është që këtë frymë ta shndërrojnë në bashkëpunim konkret me partnerët strategjikë.
Për Qyrën, vizita e përfaqësueses amerikane krijon mundësi për forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe rikthimin e besimit te Struga.
Ai thotë se qyteti duhet të largohet nga perceptimi i lidhur me skandale dhe korrupsion dhe të ndërtojë një identitet të ri të bazuar në zhvillim dhe bashkëpunim.
“Struga nuk duhet të jetë më sinonim i aferave dhe korrupsionit. Struga duhet të jetë sinonim i mundësive, bashkëpunimit dhe orientimit euroatlantik”, deklaron Qyra.
Sipas kryetarit të Komunës, administrata e re synon që marrëdhëniet me SHBA-në dhe partnerët euroatlantikë të mos mbeten vetëm në nivel deklaratash politike, por të shndërrohen në bashkëpunim konkret dhe pjesë të zhvillimit të qytetit.
“Ky është drejtimi ynë. Dhe ky është ndryshimi që qytetarët e Strugës meritojnë”, përfundon Qyra.

