Lidhja Shqiptare: Janevska po tenton të anashkalojë Badenterin, Qeveria po rrezikon arsimin në gjuhën shqipe

Lidhja Shqiptare ka reaguar ndaj vendimeve dhe deklaratave të fundit të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke e akuzuar atë dhe Qeverinë për tendencë të anashkalimit të mekanizmit të Badenterit dhe për qasje që, sipas tyre, cenon arsimin në gjuhën shqipe.

Në reagimin e saj, Lidhja Shqiptare thotë se vendimi për uljen e numrit të paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në komunat me shumicë shqiptare është marrë pa debat publik, pa konsultim me ekspertë dhe autoritetet lokale dhe pa një analizë të mirëfilltë.

Sipas tyre, shqetësues është edhe vendimi për reduktimin e numrit të studentëve që do të pranohen në disa fakultete, me arsyetimin se në tregun e punës ka tepricë të kuadrove.

“Ndërkohë kujtojmë se kjo Qeveri në praktikë ka bllokuar punësimin e të rinjve shqiptarë, propozon ligj për përfaqësim të drejtë që eliminon kuotat etnike dhe krimin e vet tani e përdor edhe si alibi për të mbyllur katedra e fakultete”, thuhet në reagimin e Lidhjes Shqiptare.

Nga kjo organizatë e cilësojnë veçanërisht shqetësuese deklaratën e Janevskës për mundësinë që ligjet në fushën e arsimit të lartë të miratohen pa zbatimin e Badenterit.

Sipas Lidhjes Shqiptare, një qasje e tillë do të nënkuptonte anashkalimin e përfaqësuesve shqiptarë në vendimmarrje për çështje që lidhen drejtpërdrejt me arsimin dhe gjuhën shqipe.

“E gjithë kjo po ndodh me aminin, heshtjen dhe vasalitetin e të përzgjedhurve shqiptarë të Mickoskit në qeveri”, thuhet më tej në reagim.

Ndaj deklaratave të ministres Janevska ka reaguar edhe BDI-ja, e cila gjithashtu i ka cilësuar ato si sulm të drejtpërdrejtë ndaj mekanizmit të Badenterit.

Çfarë parashikon Badenteri?

Mekanizmi i votimit të dyfishtë është një nga elementet kryesore të Marrëveshjes së Ohrit. Ai parashikon që për çështje të caktuara me rëndësi për komunitetet joshumicë, përveç shumicës së përgjithshme në Kuvend, të kërkohet edhe shumica e deputetëve që u përkasin komuniteteve joshumicë.

Në këtë mënyrë, deputetëve të komuniteteve joshumicë u jepet praktikisht mundësia për të bllokuar miratimin e ligjeve në fusha të caktuara, nëse nuk arrihet konsensus i nevojshëm.

Megjithatë, zbatimi i këtij mekanizmi nuk është i njëjtë në të gjitha nivelet e pushtetit. Fushat që kërkojnë votim të dyfishtë në Kuvend nuk përkojnë plotësisht me ato në nivelin lokal.

Arsimi është një nga shembujt më të dukshëm. Në nivel qendror ekzistojnë mekanizma të caktuar të mbrojtjes për çështjet që lidhen me komunitetet, ndërsa në nivel lokal kompetencat arsimore u janë transferuar komunave që nga viti 2005, duke krijuar hapësira të ndryshme për interpretim dhe zbatim.

Një tjetër çështje e debatueshme është financimi. Vendimet buxhetore dhe investimet kapitale nuk përfshihen në mënyrë të plotë në mekanizmin e Badenterit, ndonëse shpërndarja e fondeve ndërmjet komunave mbetet një prej çështjeve të debatueshme në praktikë.

Badenteri ende pa reformën e premtuar

Në vitin 2015 ishin planifikuar ndryshime për përmirësimin e zbatimit të mekanizmit të Badenterit dhe ishte rekomanduar formimi i një grupi ekspertësh për të adresuar paqartësitë në praktikën e votimit të dyfishtë.

Megjithatë, edhe pas më shumë se një dekade, këto rekomandime nuk janë zbatuar dhe grupi i ekspertëve nuk është formuar.

Debati i fundit rreth deklaratave të ministres Janevska e rikthen në qendër të vëmendjes pikërisht këtë problem: kufijtë e Badenterit dhe mënyrën se si duhet të garantohet që vendimet për çështjet e ndjeshme për komunitetet të mos merren pa mekanizmat e parashikuar të mbrojtjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *