BDI: Janevska po sulmon Badenterin, ligjet për arsimin duhet të miratohen me shumicë të dyfishtë

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e ka cilësuar deklaratën e ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, si sulm të drejtpërdrejtë ndaj një prej mekanizmave kryesorë të Marrëveshjes së Ohrit – parimit të Badenterit.

Nga BDI thonë se ministrja e trajton Badenterin si një “mjet” që mund të përdoret ose të anashkalohet sipas vlerësimit të Qeverisë, ndërsa theksojnë se Kushtetuta përcakton qartë rastet kur kërkohet shumica e dyfishtë.

“Kushtetuta nuk ia jep këtë të drejtë. Amendamenti X kërkon shumicë të dyfishtë për ligjet që prekin arsimin. Zbatimi i Badenterit nuk varet nga vlerësimi personal i Janevskës nëse një ligj i caktuar i prek shqiptarët”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas partisë, veçanërisht problematike është përdorimi i termit “komunitet i vogël” për shqiptarët në kontekstin e bllokimit të ligjeve në Kuvend.

“Shqiptarët janë popull shtetformues dhe pjesë thelbësore e rendit kushtetues të dalë nga Marrëveshja e Ohrit”, deklarojnë nga BDI.

BDI argumenton se Badenteri shërben si garanci kushtetuese që shumica numerike të mos mund të marrë e vetme vendime për çështje që lidhen me gjuhën, arsimin dhe identitetin e shqiptarëve.

Partia akuzon gjithashtu koalicionin VLEN për heshtje dhe mungesë të reagimit ndaj deklaratave të ministres.

“Kjo është pasojë e mungesës së legjitimitetit dhe paaftësisë së VLEN-it. Prania e tyre në Qeveri nuk i mbron shqiptarët. Heshtja e tyre u mundëson ministrave t’i poshtërojnë publikisht shqiptarët pa dhënë asnjë përgjegjësi”, thuhet në reagim.

Nga BDI kërkojnë që Janevska të kërkojë falje publike dhe ta tërheqë deklaratën, ndërsa ligjet në fushën e arsimit të miratohen në përputhje me Kushtetutën dhe me shumicën e kërkuar nga mekanizmi i Badenterit.

Janevska: Badenteri nuk duhet të përdoret për zgjidhje politike

Ministrja Vesna Janevska, në një intervistë për MIA, ka deklaruar se nuk është e drejtë që shumica e Badenterit të përdoret si mjet për arritjen e zgjidhjeve politike, veçanërisht kur bëhet fjalë për arsimin.

Në procedurë parlamentare janë tre ligje të propozuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës: Ligji për Arsimin e Lartë, Ligji për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore dhe Ligji për Cilësinë në Arsimin e Lartë dhe Shkencë.

Këto ligje janë bllokuar nga partitë opozitare shqiptare, të cilat kërkojnë që gjatë miratimit të tyre të zbatohet parimi i Badenterit.

Janevska ka argumentuar se gjithmonë do të ketë një pjesë të pakënaqur me ndryshimet, por sipas saj, shumica e komunitetit akademik e ka pranuar formën aktuale të ligjeve.

Çfarë parashikon Badenteri?

Votimi i dyfishtë është një nga mekanizmat kryesorë të Marrëveshjes së Ohrit. Ai kërkon që për çështje të caktuara, përveç shumicës së përgjithshme parlamentare, të sigurohet edhe shumica e deputetëve që u përkasin komuniteteve joshumicë.

Megjithatë, zbatimi i këtij mekanizmi është më kompleks sesa një formulë e vetme. Në praktikë ekzistojnë disa procedura me pragje dhe fusha të ndryshme zbatimi, ndërsa interpretimi i tyre ka krijuar debate të vazhdueshme.

Arsimi është një prej fushave ku kjo paqartësi është veçanërisht e dukshme. Në nivel qendror ekzistojnë mekanizma të caktuar të mbrojtjes për çështjet që lidhen me komunitetet, ndërsa kompetencat arsimore u janë transferuar komunave që nga viti 2005, duke krijuar dallime në mënyrën e zbatimit të votimit të dyfishtë.

Edhe vendimet buxhetore dhe investimet kapitale mbeten jashtë fushëveprimit të plotë të mekanizmit, ndonëse shpërndarja e fondeve ndërmjet komunave është një prej çështjeve më të debatueshme.

Në vitin 2015 u propozuan ndryshime për përmirësimin e zbatimit të Badenterit dhe u rekomandua formimi i një grupi ekspertësh. Megjithatë, njëmbëdhjetë vjet më vonë, këto rekomandime nuk janë zbatuar dhe grupi i ekspertëve nuk është formuar.

Përplasja e fundit mes BDI-së dhe ministres Janevska e rikthen në qendër të debatit çështjen se kur dhe si duhet të zbatohet votimi i dyfishtë, si dhe nëse ligjet e reja për arsimin e lartë duhet të kalojnë me shumicën e Badenterit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *